Lajme

Maqedonia e Veriut shpall krizë energjetike


Termocentrali me qymyr afër qytetit të Manastirit në Maqedoninë e Veriut.

Të martën e 9 nëntorit, Maqedonia e Veriut shpalli krizë energjetike, e cila do të zgjasë 30 ditë.

Qeveria e Maqedonisë, deklaroi se shpallja e gjendjes së krizës është për të injektuar mjete te kompanitë energjetike dhe për të rritur likuiditetin e tyre.

Ndërsa, ky vendim nuk parashikon masa kufizuese për qytetarët, por nga janari çmimi i energjisë elektrike pritet të rritet për rreth 8-9 për qind.

“Qeveria aktualisht është e fokusuar në përballjen me sukses të sfidave të paraqitura nga kriza globale energjetike”, tha ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi për mediat.

Sipas tij, kjo gjendje do të rrit funksionimin e kompanive energjetike.

“Gjendja e krizës energjetike sillet për të përmirësuar funksionimin e kompanive energjetike, për të rritur likuiditetin e tyre dhe për të mos miratuar asnjëherë masa kufizuese që do të ndikonin negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”.

Sektori energjetik në Maqedoninë e Veriut.

Po ashtu, Qeveria ka njoftuar se rreth 4 miliardë denarë (65 milionë euro) do të transferohen nga buxheti te kompanitë energjetike, për të kaluar, të gjitha rreziqet në sektorin e energjisë dhe për furnizim të rregullt me energji elektrike.

Kriza energjetike ka filluar tash e sa javë pothuajse në të gjithë botën, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të gazit.

Shkaku i kësaj kanë nisur të rriten edhe çmimet e rrymës.

Kjo gjendje e krizës në Maqedoninë e Veriut është miratuar me kërkesë të Komisionit për monitorimin e situatës për furnizimin me energji elektrike.

Ndërkohë, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut bëri të ditur se përkundër krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve globale, tani për tani nuk pritet përkeqësim i gjendjes ekonomike.

Banka Popullore parashikon rimëkëmbje të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut me një rritje prej 3.9 për qind këtë dhe vitin e ardhshëm.

Inflacioni këtë vit parashikohet të mbyllet me 3.1 për qind, ndërsa në vitin 2022 me 2.4 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore