Lajme

Maqedonia e Veriut ka gaz për ngrohje vetëm për dy javë – Kovaçevski prezanton paketën


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka deklaruar se vendi ka gaz për ngrohje vetëm për dy javë dhe më pas duhet gatishmëri për të përdorur lëndë djegëse alternative për ngrohjen e shtëpive, shkollave, kopshteve dhe ministrive.

“Këtë vit bëmë gjithçka që Shkupi të ketë ngrohje më 15 tetor. Nuk ishte e lehtë duke pasur parasysh çmimin jashtëzakonisht të lartë të gazit”.

Ai u shpreh se duke pasur parasysh uljen afatshkurtër të gazit dhe kontratën që Makpetrol ka me furnizuesin me të cilin punon tradicionalisht, shuma për funksionimin e termocentralit është siguruar deri në fund të tetorit.

“Dhe nëse gazi bëhet jashtëzakonisht i shtrenjtë, shteti është i gatshëm t’i ngrohë shtëpitë e qytetarëve me lëndë djegëse alternative”, tha Kovaçevski.

Sipas mediave maqedonase, kryeministri theksoi se problem nuk është vetëm çmimi i gazit, por edhe disponueshmëria.

“Ju e dini se ka pasur një devijim të gazsjellësit ‘Rrjedha e Veriut’, i cili ka reduktuar dërgesat”.

Kryeministri tha se deri më 1 nëntor gazi është ofruar nga Mekpetrol me një çmim prej 1 mijë e 713 euro për 1 mijë metër kub gaz.

“Nëse nuk sigurohet gaz për termocentralet (Lindje, Perëndim, Shkup-Veri dhe ajo në Zhelezara), atëherë kryeqyteti do të duhet të ngrohet me naftë”.

Po ashtu këtë fundjavë në Maqedoninë e Veriut është prezantuar pakoja e re e masave anti-krizë. 42 mijë qytetarë, në ndihmë sociale do të marrin nga 3 mijë denarë në katër muajt e ardhshëm.

Ndërkohë subvencione do të ketë edhe për pensionistët me 100 euro.

Paketa që arrin vlerën e 350 milionë eurove – sipas qeverisë maqedonase – do të ketë subvencione edhe për faturat e energjisë elektrike për familjet, por edhe për bizneset.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore