Kosova

“Mangupat po enden të lirë”, Kryetari i Gastronomëve për rastin në “Bon Vivant”: Të zbatohet ligji


Kryetari i Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, pas ngjarjes tragjike që ndodhi në “Bon Vivant”, ku si pasojë një person ka vdekur dhe disa janë lënduar, ka kërkuar që ligji të funksionojë, pasi që siç tha ai “mangupat po enden të lirë”.

Përmes një postimi në Facebook, Kllokoqi fillimisht i shprehi ngushëllime familjes Ramadani për humbjen e tyre, duke thënë se “jeta është e shenjtë dhe askush s’ka të drejtë ta marrë atë”.

“Është hera e shumtë me radhë që gastronomia luan rolin e fushë betejës të shumë problematikëve, jemi vetë ne gastronomët që jemi kujdestarë, doktorë, psikologë, policë e gjithçka tjetër për njerëzit që kanë probleme, ose që qërojnë hesape në bizneset tona (bizneset që ushqejmë veten dhe familjet prej tyre)”.

Ndërkaq, ai theksoi se “problemet që i kemi prej pasluftë në Prishtinë (sidomos) kanë qenë se cili mangup ose ‘komandant’ po bën probleme më shumë edhe ku?!”.

“Me ‘komandanta’ u rehatuam më në fund, se banën pare, mangupat na mbetën në qafë edhe kësaj dite”, shtoi ai.

Tutje, kreu i gastronomëve të Kosovës potencoi se njerëz me nga 10 vepra penale enden të lirë në kryeqytet edhe “gjithmonë ndër gastronomë dëgjohet llafi që ‘kur sun i ka bo kurgjo shteti çka kom me i bo UNË?’”.

“Zgjidhje absolute për ketë mentalitet nuk ka, minimizim të rasteve besojmë fuqishëm se po”.

Kllokoqi shtoi se apeli i gastronomeve është që Gjykatat e Kosovës ta kryejnë punën e tyre.

“Apeli jonë është që gjykatat, për çka edhe paguhen, me taksa të krejt neve bashkë si shoqëri, me ushtru detyrën për çka janë të thirrur, ata vetë me zbatu ligjin, njerëzit me vepra penale me i çu në burg, policia me kriju raporte bashkëpunuese me gastronomët, me kriju mundësinë me kalu sigurimi tek njësitet sekondare të policisë, edhe kryesorja: ligji për ARMËMBAJTJE ME QENË PRIORITET, sa më parë me i çarmatos ‘terminatorët’ që po e terrorizojnë krejt shoqërinë, në qendër të kryeqytetit, 200m largë stacionit kryesorë të Policisë në KOSOVË”.

Ndërsa, potencoi se Prishtinës edhe njëherë iu “thye zemra”, “ta prishëm rendin e qetësinë me sjellje primitive, të vumë shaminë e zezë”.

“Zoti ua lehtësoftë dhimbjen familjarëve të të vrarit dhe të plagosurve”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore