Sport

Manchester City ‘hedh sytë’ nga Andre Silva


Kampionët e Premier Ligës dhe nënkampionët e Europës, Manchester City, kanë hedhur sytë nga sulmuesi i Eintracht Frankfurt-it, Andre Silva.

Qytetarët kanë piketuar portugezin si lojtarin ideal për të zëvendësuar Sergio Aguero-n, të cilit i përfundon kontrata me klubin dhe u transferua në Barcelonë.

Sipas raportimeve të Sport Bild-it dhe TEAMtalk, jo vetëm City, por edhe Manchester United-i e ka kërkuar portugezin Silva. Këta të fundit e shohin Silva-n si zëvendësuesin e Edinson Cavani-t.

“Bild” pretendon se Eintracht-i kërkon rreth 40 milionë euro për të lënë të lirë sulmuesin, pas dështimit për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve këtë sezon.

Gjithashtu, sipas “Bild” kanë nisur kontaktet e para midis City-t, përfaqësuesve të lojtarit dhe klubit gjerman.

Andre Silva ka pasur një sezon pozitiv, pasi ka shënuar 28 gola në 32 ndeshje në Bundesligë, duke u renditur i dyti në listën e golashënuesve pas Robert Lewandowski-t dhe duke lënë pas Erling Haaland-in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore