Sport

Manchester City, gati të transferojë Jack Grealish-in


Pas përfundimit të Kampionatit Evropian, Manchester City pritet të bëjë një ofertë prej 100 milionë funte, në drejtim të Aston Villa-s, për të lënë të lirë futbollistin e tyre, Jack Grealish.

Sipas “Sky Sports”, bisedimet mes Manchester City-t dhe Aston Villa-s kanë avancuar dhe pas përfundimit të “Euro 2020”, Grealish pritet të zbarkojë në Manchester.

25-vjeçari anglez pati një sezon fantastik me Aston Villa-n, i cili në 27 paraqitje në të gjitha garat, shënoi shtatë gola dhe dhuroi 12 asistime.

Ai, aktualisht, është i grumbulluar me Kombëtaren e Anglisë, në Kampionatin Evropian, që gjithashtu pati një paraqitje në fitoren 1:0 ndaj Republikës Çeke.

Gjithashtu, kampionët në fuqi të Premierligës angleze janë duke e menduar të sjellin në “Etihad” edhe super-sulmuesin e Tottenham-it, Harry Kane.

Ky i fundit i ka komunikuar klubit të tij se dëshiron një transferim në një klub që mund t’i japë atij mundësi për të fituar më shumë tituj.

Mbetet të shihet se a do të vihen nën urdhrat e trajnerit Pep Guardiola, dyshja angleze në sezonin e ardhshëm.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore