Shqipëria

Manastriliu: Poliklinikat në Tiranë do të shërbejnë si qendra vaksinimi


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, të mërkurën e 18 gushtit ka njoftuar hapjen e Poliklinikave të Tiranës si qendra për të vaksinuar popullsinë.

Manastirliu apeloi që qytetarët të vaksinohen sa më shumë pasi rastet janë rritur dyfish në dy javët e fundit. Po ashtu ajo tha se dhe shtrimet në spital kanë pësuar rritje.

Ndërkohë bëri me dije se po përgatiten udhëzimet e reja për shkollat dhe universitetet për masat anti-COVID.

Nga ana tjetër Manastriliu tha se grupmosha më e prekur nga COVID-19 është ajo +50 vjeç, por nuk përjashtohen as të rinjtë.

Së bashku me ministren ishte dhe shefja e Departamentit të Epidemiologjisë, Silva Bino.

Bino njoftoi se këto dy javë janë rritur dyfish ata që kanë marrë dozën e parë të vaksinës.

Apeli vijoi për tu vaksinuar në mënyrë që të shmangen hospitalizimet dhe fatalitetet.

“Maska, distanca, higjiena të përdorën në mënyrë që të shmanget përhapja e COVID-19 dhe variantit Delta, që tashmë është konfirmuar në Shqipëri”, vijon thirrjen Ministrja.

Përveç kësaj Manastirliu tha se në vazhdim do të ketë masa shtesë në protokollet e ardhshme.

Fushata e vaksinimit

Që prej datës 1 gusht fushata e vaksinimit masiv u vendos tё qёndrojё e hapur dhe pёr një muaj.

Kjo nismë i parapriu asaj tё datës 19-25 korrik, nё tё cilёn u vendos një javë e hapur e vaksinimit masiv për çdo qytetar +18 vjeç.

E gjitha kjo ka ardhur në kuadër të fushatës “Shqipëria Buzëqesh”.

Deri më tani, Shqipëria ka vaksinuar mbi 1 milionë e 340 mijë qytetarë.

Po ashtu, mbi 500 mijë të tjerë kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-COVID.

Aktualisht, Shqipëria administron mbi 1 milionë e 845 mijë vaksina. Vaksinat e përdorura janё: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore