Kosova

Manastiri i Deçanit regjistron zyrtarisht pronësinë e 24 hektarëve tokë


Manastiri i Deçanit

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit në kuadër të Kishës Ortodokse Serbe (KOS) në Kosovë, nëpërmjet një komunikate për shtyp të mërkurën, konfirmoi se Manastiri i Deçanit regjistroi zyrtarisht në Agjencinë Kadastrale të Kosovës 24 hektarë tokë dhe pyll sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016.

“Në bazë të ekstraktit kadastral mund të konfirmojmë që është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 dhe Manastiri edhe në kadastër njihet si pronar i tokës së kontestuar më herët. Me këtë ne mundemi konkludojmë se procesi i kahershëm ligjor që është zhvilluar rreth 24 hektarëve tokë të Manastirit t Deçanit më në fund është zgjidhur”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi javën e kaluar se kërkoi nga Agjencia Kadastrale e Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe t’ia regjistrojë 24 hektarë tokë dhe pyll Manastirit të Deçanit, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë përplasjesh e mospajtimesh midis bashkësisë ndërkombëtare dhe autoriteteve qendrore e lokale të vendit.

Në mbledhjen e ekzekutivit javën e kaluar, kryeministri njoftoi se vendimi për Manastirin e Deçanit u mor nga “arsyeja e shëndoshë” që Kosovës t’i hapet rruga për anëtarësim në Këshill të Evropës (KiE), duke shënuar një hap kyç drejt sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës. E këtë lëvizje e përshëndetën Shtetet e Bashkuara (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE).

Kosova aplikoi për anëtarësim në KiE në maj të vitit 2022, por mos zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit ishte bërë njëra nga pengesat që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në KiE, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet panteoni i kombeve evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore