Sport

Manaj mbetet futbollist i lirë, Watford i ndërprenë kontratën


Sulmuesi i Shqipërisë, Rey Manaj, ka mbetur pa skuadër. Klubi anglez, Watford, ia ndërpreu kontratën futbollistit kuqezi, derisa njoftimin e bëri këtë të mërkurë.

“Sulmuesit, Rey Manaj, i është anuluar kontrata me Watford-in me pëlqim reciprok”, shkruan klubi anglez që militon në kategorinë e dytë të futbollit në Angli, Championship.

Manaj në këtë mënyrë del futbollist i lirë dhe tani mund të transferohet në ndonjë skuadër tjetër, pavarësisht që është mbyllur afati kalimtar dimëror.

25-vjeçari nga Lushnja, që në të kaluarën ka qenë pjesë e Inter-it apo edhe e Barcelonës B, tani i duhet të gjejë sa më shpejt një skuadër të re për të qëndruar në formë dhe për ta marrë ftesën nga Shqipëria për ndeshjet e muajit mars.

Kujtojmë që sulmuesi shqiptar u transferua tek Watford-i në korrikun e vitit 2022 dhe që atëherë ka regjistruar shtatë paraqitje, duke shënuar dhe një gol.

Ndërkohë që shumica e kohës së përshkuar në “Vicarage Road”, stadiumin e klubit që militon në Championship, u kushtëzua nga dëmtimet.

Manaj numëron 30 ndeshje me kombëtaren kuqezi, prej të cilave ka shënuar edhe gjashtë gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore