Sport

Majlinda Kelmendi publikon letër drejtuar vajzave të Kosovës


Majlinda Kelmendi - Xhudiste

Në një letër drejtuar vajzave të Kosovës, publikuar ne revistën “ZA”, e cila prodhohet nga Fondacioni Jahjaga, xhudistja e famshme, Majlinda Kelmendi, ka rrëfyer si asnjëherë më parë, emocione, detaje dhe përjetime nga karriera e saj sportive.

Kelmendi, letrën e fillon duke e përshkruar kthimin e saj të fundit nga Lojërat Olimpike, ndërsa e ka theksuar se kësaj radhe gjërat ishin më ndryshe sesa herëve të kaluara.

“Rrugës së kthimit nga Tokio, po mendoja se çfarë do t’iu thosha në këtë letër. Kthimi nga Lojërat Olimpike kësaj here për mua ishte më ndryshe se herën e kaluar. Gjatë gjithë rrugës për në shtëpi pata reminishenca të të gjithë karrierës sime si sportiste. Më kujtohej çdo moment, nga kur fillova e deri te gara e fundit e 26 korrikut”.

“Kësaj here stërvitjet për olimpiadën ishin më intensive se asnjëherë për shkak se rrugëtimi për një tjetër olimpiadë kërkonte përgatitje e motivim edhe më të madh. Çdo ditë ishte tejet sfiduese, por prapë vendosa të kaloja nëpër të njëjtën rrugë sërish, me synimin e një ‘të arte’ të dytë”, ka shkruar Kelmendi.

Mes tjerash, ajo e pranon se dëshira për sukses dhe për t’i sjellë Kosovës, momente të tjera historike, si ai i vitit 2016, ishin mes arsyesh që nuk e lënin atë të lodhej kurrë.

Duke kaluar në retrospektivë, Majlinda, ka kujtuar edhe fëmijërinë e saj pas luftës së fundit në Kosovë, ndërsa ka treguar se aso kohe ajo nuk ishte fare tip sportiv.

“Kosova sapo kishte dalë nga lufta. Qyteti ku isha rritur po i vuante pasojat e një shkatërrimi të madh. Isha tetë vjeçe dhe ditët i kaloja në lagje bashkë me fëmijët e tjerë. Loja me njëri tjetrin është e gjitha që e kishim ato ditë. Ndoshta ne s’e kuptonim mirë se çfarë po ndodhte me vendin tonë, por e kuptuam kur u kthyem – gjërat ishin ndryshe”.

“Unë s’kam qenë tip sportiv. Më kujtohet që afër në lagjen tonë ka qenë një klub i xhudos por unë vetëm e kam parë nga distanca sa herë më ka rënë të kaloj andej pari. Si shumë shtëpi të qytetit të Pejës, edhe atë objekt lufta e la të djegur”, shkruan ajo.

Ajo po ashtu tregon, se ishte motra e saj, Kaltrina, ajo që e “detyroi” të stërvitej në xhudo.

Majtas – Majlinda Kelmendi dhe djathtas – motra e saj, Kaltrina, duke pozuar pranë të atit të tyre – Ismet Kelmendi.

“Mua s’më ngjallte asnjë lloj interesi. Ndërsa motrës time Kaltrinës po. Madje si motra më e madhe që ishte, më detyroi të shkoja me të në stërvitje në një sport luftarak për të cilin unë s’dija as edhe një gjë e madje as nuk më ngjallte minimumin e interesit”.

“Për t’ia bërë qejfin motrës shkoja çdo ditë me të në stërvitje. S’ishim vetëm ne të dyja. Plot shokë e shoqe të mëhallës ishin aty me ne dhe dita ditës, shkuarja në klub u bë shprehi”, thuhet tutje në letrën e publikuar në “ZA”.

Gjithashtu, Majlinda, rrëfen momentet e para të njohjes me trajnerin e famshëm kosovar të xhudos, Toni Kukën, i cili pak kohë pasi që ajo kishte filluar të stërvitej, e ftoi të shkonte bashkë me të dhe xhudistë të tjerë, në një garë të këtij sporti që do të zhvillohej në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Majlinda Kelmendi në moshën 9 vjeçe, bashkë me trajnerin e saj – Toni Kukën.

“Aty e njoha Toni Kukën. Ai na mësonte lëvizjet bazike të këtij arti marcial dhe papritmas gjithçka rreth xhudos nisi të më dukej jashtëzakonisht e bukur . Isha ende fëmijë ama ky sport më dha një mision në jetë. Rutina ishte shkollë e stërvitje – shkollë e stërvitje, një cikël që përsëritej e përsëritej dhe mua ma bënte përditshmërinë çdo herë e më me kuptim”.

“Një ditë Toni na tha se do të shkojmë në Bosnje. As që e dija ku i binte, por tingëllonte kënaqësi. Të gjithë do udhëtonim me autobus, do shkonim në një vend larg Pejës dhe na u tha se do bënim gara. Ne u gëzuam shumë sepse fundja do kënaqeshim”, thuhet më tej në letër.

Udhëtimi për në shtetin tjetër të Ballkanit, duket të kishte afektuar shumë në Majlindën, teksa i ka bërë me dije se xhudoja si sport përqafon zemrat e shumë njerëzve rreth botës.

“Ky udhëtim më dha të kuptoja se xhudon nuk e praktikonim vetëm ne. Ishte një botë e tërë mundësish. Njoha garues të tjerë që s’ishin miqtë me të cilët isha rritur”.

“Pashë se ka klube të panumërta që stërviten për gara dhe diçka të tillë duhej ta bënim edhe ne”, shkruan Majlinda.

Dikur në vitin 2009, kur Majlinda ishte 18 vjeçe, e kishte fituar Medaljen e Artë në Kampionatin Botëror në Francë, dhe ajo ishte vetëm një nga garat e shumta në të cilat ajo ia doli të triumfojë.

Por, gjërat duket të mos kenë qenë të lehta. Kelmendi, rrëfen për sfidat me të cilat është ballafaquar gjatë karrierës së saj prej një xhudistjeje super të suksesshme.

“Rrugëtimi im është i mbushur me lot e net pa gjumë. Me momente kur në tapetin e sallës Ippon në Pejë kam luftuar me presionin e brendshëm për të hequr dorë sepse ndoshta s’do t’ia dal”.

“Tani e kuptoj se gjithçka që më ka ndodhur, është dashur të më ndodhte për të qenë kjo që jam sot”, shkruan ajo.

Kelmendi, ka zbuluar një nga momentet më të vështira në karrierën e saj, atë kur ajo ishte në Londër të Britanisë së Madhe, ku nuk iu lejua ekspozimi i flamurit të Republikës së Kosovës në veshjet adekuate të sportit ku po garonte.

Mes tjerash, ajo ishte mundur nga xhudistja, Christianne Legentil.

Majlinda Kelmendi – Londër, 2012.

“Gjatë tërë karrierës isha në një cikël konstant përgatitjesh për gara. Synim e kisha olimpiadën dhe përfundimisht, luftova për medalje kur isha 21 vjeçare në Lojërat Olimpike në Londër në vitin 2012. Kosova s’ishte pjesë e Komitetit Olimpik por gjithsesi unë shkova në Britani të Madhe. Shteti i Shqipërisë më pajisi me nënshtetësinë shqiptare dhe ma dha mundësinë ta përfaqësoja flamurin kuq e zi në olimpiadën londineze”.

“Luftuam shumë që në Londër në veshjet ‘Judo gi’ ta kisha flamurin e Kosovës dhe kjo nuk ndodhi. Diçka tjetër që nuk ndodhi ishte një medalje nën emrin tim e atë të Shqipërisë. Zhgënjimi ishte i madh. Po luftoja me ndjenjat e mia çdo ditë pas luftës që e humba me xhudisten nga Mauritius, Christianne Legentil”, shprehet në letrën e saj, xhudistja kosovare.

Në letrën e saj kushtuar vajzave kosovare, Majlinda, zbulon se komentet negative të marra nga opinioni publik, kishin një ndikim të madh në shëndetin e saj mendor.

Majlinda Kelmendi.

“Nuk isha e gatshme t’i përballoja komentet negative. Paarsyeshmërisht më bënte përshtypje çdo fjalë që thuhej për mua. Dhe ky ishte gabim.Më kujtohet që pas garës shkova me pushime në Durrës me familjen time. Në plazh një burrë më njohu dhe mu afrua e më tha: “Po si na turpërove moj Majlinda?”

“Kam qenë aq e thyer emocionalisht që s’mund të diskutoja ose të flisja me askënd. Dhe këtu e mora një mësim. E kuptova që duhej të fokusohesha vetëm te gara dhe të mos e shpërqendroja energjinë time askund tjetër”, shprehet Kelmendi.

Gjithsesi, Majlinda, kujton natën e madhe të vitit 2016, kur edhe e kishte realizuar ëndrrën e saj jetësore, duke u shpallur “kampione olimpike”.

Majlinda Kelmendi – 2016, Lojrat Olimpike të Rio-s.“Asnjëherë s’më ka rrahur zemra më fort se me 7 Gusht të 2016-tës. Kur hyra në garë me italianen Odette Giuffrida, vetëm katër minuta më ndanin nga realizimi i ëndrrës jetësore. Asgjë s’do të më ndalte dhe medalja ishte e imja – këtë ia bëra vetes të qartë që nga momenti që e kuptova se jam në finale”.

“Deri këtu mund ta përshkruaj çdo ndodhi të jetës sime me fjalë. Por momentin e fitores, jo. U përfshiva nga emocionet më të forta që mund t’i ndjejë një njeri. Kam derdhur lot gëzimi dhe ajo që po ndodhte më duhej si ngjarje e një bote tjetër dhe sikur s’po më ndodhte mua”, shkruan Majlinda.

Letrën e saj të publikuar në revistën “ZA”, Majlinda Kelmendi, e përfundon me këshilla dhe sugjerime kushtuar vajzave kosovare.

Majlinda Kelmendi.

“Për çdo rrugë që e zgjidhni ta ndiqni në jetë, kam vetëm dy gjëra për t’ua thënë: punoni shumë dhe mos hiqni dorë edhe atëherë kur gjërat duken të pamundura”

Zhgënjime do të ketë. Edhe dyer të mbyllura dhe grupe njerëzish që do t’ua bëjnë rrugën vështirë të kalueshme. Mirëpo kjo është e bukura. Çdo sfidë e kaluar shndërrohet në mësimin e radhës. Mblidhni vështirësitë dhe shndërrojini në forcë. Guxoni të ëndërroni dhe vraponi fuqishëm pas ëndrrës tuaj”, përfundon ajo.

Për të lexuar letrën e plotë të Majlinda Kelmendit – klikoni KËTU.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore