Lajme

Lyubov Sobol: “Idiotë të dobishëm, e djathta evropiane po e shet demokracinë”


Lyubov Sobol ishte avokatja e parë e Alexei Navalny-t në RosPil, platforma paraardhëse e fondacionit të sotëm kundër korrupsionit FBK.

Gjithmonë pranë tij. Fytyra e “Navalny Live” në YouTube. Udhëheqëse e protestave të Moskës në vitin 2019.

Teksa ende nuk i janë tharë lotët për vdekjen e mentorit të saj politik, ajo është gati të vazhdojë luftën e tij.

Kritikon Lidhjen dhe partitë e tjera evropiane që nuk kanë dënuar presidentin rus Vladimir Putin për vdekjen në burg të tij.

“Idiotë të dobishëm”, i ka quajtur ajo, duke hequr pluhurin nga një frazë e përdorur shekullin e kaluar për të stigmatizuar ato parti perëndimore, veçanërisht ato italiane, të cilat përfunduan duke promovuar interesat e BRSS-së në dëm të atyre kombëtare.

“Ata po e shesin demokracinë”, ka vijuar ajo akuzat në një intervistë telefonike me të përditshmen italiane “La Repubblica”.

Si të gjithë bashkëpunëtorët më të afërt të Navalny-t, Sobol ka jetuar në mërgim që nga viti 2021.

Në Rusi, etiketat e “agjentes së huaj”, “terroristes” dhe “ekstremistes” rëndojnë mbi të.

Po ashtu edhe dy dënime për demonstrim kundër arrestimit të Navalny-t dhe për tentativë për të kontaktuar helmuesin e tij.

Tre procese të tjera penale janë gjithashtu duke u zhvilluar, më i fundit për “tregime të rreme për ushtrinë ruse” për qytetin ukrainas Bucha.

Muajt e fundit, Sobol dhe anëtarët e tjerë të FBK-së kanë ngritur vazhdimisht alarmin: “Po vrasin Navalny-n”.

Tani, ata e quajnë vdekjen e tij “vrasje”. Dhe ajo ka treguar se po mbledhin provat për ta vërtetuar këtë.

“Është një punë e vështirë duke qenë se trupi i Navalny-t nuk i është dorëzuar nënës së tij. Ne ende nuk e dimë se ku është ai. Por mund të themi me siguri absolute se Navalny u vra nga Vladimir Putin. Ai u detyrua të vdiste me urdhër të drejtpërdrejtë të tij. Dhe nuk mendoj se është rastësi që vdekja e tij ndodhi saktësisht një muaj para zgjedhjeve presidenciale ruse. Putini e ka pasur gjithmonë frikë atë dhe forcën e madhe të fjalëve të tij. Edhe nga pas hekurave, Navalny vazhdoi të dëgjohej nga miliona rusë dhe shihej si lideri i opozitës demokratike të vendit”.

Ajo dëshiron t’u thotë qeverive dhe partive perëndimore që vazhdojnë të distancohen nga Kremlni se “në Rusi, njerëzit si ata quhen idiotë të dobishëm”.

Ose ndoshta, sipas saj, financohen nga Kremlini.

“Ne i dimë mirë fondet ruse për Marine Le Pen. Veprimet e tyre bien ndesh me interesat e tyre kombëtare, me interesat e demokracisë. Sepse Putini është një rrezik jo vetëm për rusët, por për të gjithë botën. Në Perëndim shpesh më pyesin se kur do të demonstrojnë rusët. Rusët tashmë po protestojnë, pavarësisht rrezikut për të përfunduar në qeli ose goditjes nga rryma  elektrike në organet gjenitale”.

“I bëj një pyetje Perëndimit: çfarë është gati të bëjë për të mbështetur protestat në Rusi, për të përmbysur regjimin e Putinit? Është shumë e vështirë për rusët të luftojnë kundër Putinit pa para dhe armë. Perëndimi i ka të gjitha këto. Por ne tashmë shohim mungesën e ndihmës për Ukrainën, lobet në Washington dhe Bruksel që ndihmojnë Putinin të anashkalojë sanksionet”.

Sobol ka vijuar duke thënë se Putini po vret ukrainasit dhe rusët, por nuk po shihet asnjë veprim vendimtar nga Perëndimi për ta ndaluar.

“Ne duhet të ndihmojmë rusët dhe ukrainasit që të shpëtojnë veten nga Putini. Tani. Jo nesër. Sepse nesër çmimi i një kryengritjeje demokratike vetëm sa do të rritet”.

Politikanët perëndimorë, sipas Sobol, duhet të bëjnë dallime nëse vërtet duan të mbështesin përpjekjet e rusëve që duan demokraci.

“Shumë shpesh sanksionet, si i ashtuquajturi ndalimi i vizave, prekin qytetarët e zakonshëm, ndërsa oligarkët e Putinit arrijnë t’i anashkalojnë ato me ndihmën e lobistëve perëndimorë”.

A kishte lënë Navalny ndonjë udhëzim për të në rast të vdekjes së tij?

“Askush nuk mund ta imagjinonte. Ai gjithmonë na thoshte se pavarësisht se çfarë mund të ndodhte me të, ne duhet të vazhdojmë të luftojmë për demokracinë në Rusi. Për të luftuar kundër Putinit, korrupsionit dhe luftës së tij. Mos u dorëzoni në asnjë rrethanë. Ky ishte vullneti i tij”.

Ndërkohë, ajo ka thënë se trupi i tij duhet të varroset në Rusi. Në Moskë. Aty ku jetoi dhe luftoi. “Nuk ka alternativë tjetër”.

“Fatkeqësisht kam frikë se trupi nuk do të kthehet kurrë, edhe nëse është kundër ligjit dhe ka një peticion për kthimin e eshtrave familjarëve tashmë të nënshkruar nga mijëra njerëz. As që mund ta imagjinoj se çfarë justifikimesh të çoroditura do të nxjerrin. Sepse sipas ligjit nuk ka arsye. Por kur është zbatuar ndonjëherë ligji për Navalny-n?”.

“Pyes veten se çfarë lloj njeriu duhet të jesh për t’ia mohuar një nëne trupin e një fëmije? Ti duhet të jesh Putin. Një i poshtër. Është e qartë se autoritetet nuk duan një funeral që mund të bëhet një aksion proteste dhe një nderim për kujtimin e tij. Një demonstrim i madh i dashurisë dhe mbështetjes”.

Kurse për të venë e tij, Yulia Navalnaya, ajo ka thënë se ka një karakter të sinqertë, të pakompromis dhe të fortë.

“Ajo do të jetë në gjendje të bëhet jo vetëm simboli i protestës kundër Putinit, por edhe një udhëheqëse e vërtetë. Mban një emër të rëndësishëm. Zëri i saj do të dëgjohet në mbarë botën. Dhe unë dhe FBK do ta mbështesim. Të gjithë jemi të dëshpëruar dhe të trullosur, por do të vazhdojmë të luftojmë”.

“Tani nuk kam më frikë”, ka shtuar ajo.

“E di mirë që jam në shënjestër të Kremlinit, si të gjithë kundërshtarët e tjerë të shquar rusë, por gjithsesi kam ndërmend të vazhdoj punën time. Lajmi për vdekjen e Navalny-t më tronditi. Më paralizoi. Por përpiqem të mos i dorëzohem dëshpërimit dhe të gjej ngushëllim te të shumtët që janë pranë nesh në zi”.

“Gjëja më e rëndësishme për të gjithë është të kuptojmë se nuk jemi vetëm”.

Marrë nga “La Repubblica”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore