Sport

Ish-kapiteni Cana: Shqipëria ka një avantazh ndaj Polonisë


Në një intervistë për median polake “SportoweFakty”, legjenda e Kombëtares së futbollit, Lorik Cana, ka deklaruar se Shqipëria ka një avantazh ndaj ekipit polak – presionin.

Sipas ish-kapitenit, Canës, Polonia ka qenë favoritja për t’u renditur e dyta në grup dhe i duhet t’i përmbushë këto pritshmëri.

Por, për ish-futbollistin e Kombëtares, emocionet dhe shpresat do të jenë të mëdha në Shqipëri.

“Kjo ndeshje është shumë emocionuese për shqiptarët, sepse ne rrallë e kemi fatin në duart tona në këtë fazë të eliminimit të një ngjarjeje të madhe. Nëse fitojmë me Poloninë, do të jemi shumë pranë play-off-it”, nënvizoi Cana për median polake.

Sa i takon ekipit polak, ish-futbollisti dhe kapiteni i Marseille shton se Polonia nuk ka qenë në momentin e saj më të mirë – vitet e fundit.

Për Canën, brezi më i mirë polak i takoi EURO 2016.

“Nga ana tjetër, brezi i udhëhequr nga Lewandowski dhe Glik tani do të bëjë gjithçka që duhet për të përparuar në eventin tjetër. Sepse ata e kuptojnë se për disa, ky do të ishte turneu i fundit i madh”, tha Cana më tej.

Lorik Cana, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare

Pika e dytë, sipas legjendës kuqezi, e cila të martën mund ta ndihmojë Poloninë, është fakti që ekipi polak luan “për dy rezultate” – fitore dhe barazim.

Referuar paraqitjeve të Brojës dhe evidentimit të tij, Cana e sheh si të ardhmen e Kombëtares shqiptare.

“Ai është vetëm 20 vjeç, një lojtar i Chelseas, i huazuar te Southampton. Ai ka shumë aftësi dhe nganjëherë trajneri e ‘përdor’ atë si xhol”, ravijëzoi ish-futbollisti i Kombëtares.

I pyetur për ndonjë parashikim të mundshëm, Cana përcaktoi një rezultat 2 me 1 në favor të Shqipërisë.

“Ne kurrë nuk kemi luajtur në finalet e kampionateve botërore dhe një fitore ndaj Polonisë do t’i zgjaste ëndrrat tona që, më në fund, të realizohen. Prandaj, motivimi dhe vendosmëria janë të mëdha këtu”, përmbylli legjenda e futbollit shqiptar, Lorik Cana.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore