Kosova

“Lojëra fjalësh”, Hoxhaj për AP: Kurti po tenton t’ua shesë kosovarëve marrëveshjen pa njohje e me Asociacion


Enver Hoxhaj

“Lojëra fjalësh” i ka cilësuar ish-diplomati kosovar, Enver Hoxhaj, kapërcimet e kryeministrit Albin Kurti rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Kurti, pasi shprehu gatishmërinë për themelimin e Asociacionit, por me gjashtë kushte, deklaroi gjithashtu se e ka pranuar në parim propozimin e BE-së që nuk e ka në qendër njohjen reciproke.

Prejse është bërë kryeministër, ai ka deklaruar se nuk pranon asnjë lloj Asociacioni e asnjë lloj marrëveshje që nuk e ka “njohjen reciproke në qendër”, duke nënkuptuar kështu se nuk vë nënshkrim në asnjë dokument ku përfshihet Asociacioni apo njohja e Kosovës nga Serbia.

Prandaj, në një prononcim për Albanian Post, ish-kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, thotë se Kurti më shumë po bënë “akrobacione fjalësh” për t’ua shitur opinionit publik “atë që po e pranon dhe atë që do ta pranojë në të ardhmen”.

Si një diplomat me përvojë, ai tha se qasja e kryeministrit është e gabuar, pasiqë sipas tij, këso lloj veprimesh “bëjnë vetëm ata që janë amatorë në negociata – të cilët besojnë se mund ta fitojnë mbështetjen e opinionit publik duke paketuar, kinse ndërruar formën e përmbjajtjes të asaj që sipas tij është e pandryshueshme”.

Deputeti i PDK-së shtoi se këto manovrime po bëhen në një fazë kritike kur dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka hyrë në 100 metërshin e fundit, dhe siç vëren ai, në këtë kontekst nuk janë hiç të nevojshme.

Madje, ai shpjegoi se për të arritur maksimumin në kuadër të dialogut, pra një marrëveshje në interes të Kosovës, pala kosovare duhet që t’i shtrojë thjeshtë dhe qartë dy gjëra: “kushtetushmërinë dhe njohjen e ndërsjelltë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore