Lajme

Lista Serbe refuzon vendosjen e KFOR-it në pikat kufitare në Veri


Bllokada në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë.

Lista Serbe në emër të kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, përmes një komunikate kanë thënë se kanë kundërshtuar zëvendësimin e pjesëtareve të Njësisë Speciale të Kosovës, me ushtarë të KFOR-it, pasi do të mbetet në fuqi vendimi për reciprocitetin me targat e automjeteve nga Serbia.

Në komunikatë thuhet se kryetarët e komunave nga veriu gjatë ditës së hënë në bisedë me komandantin e KFOR-it kanë marr propozimin që “forcat speciale shqiptare” të zëvendësohen me ushtarë të KFOR-it, “por që vendimi i njëanshëm i Prishtinës për konfiskimin e targave serbe dhe rrezikimin e lirisë së lëvizjes të mbetet në fuqi, dhe që veriu të bëhet geto serbe”.

“Në konsultim me qytetarët tanë, njëzëri hodhëm poshtë një propozim të tillë. Populli ynë dhe ne, përfaqësuesit e tij, nuk jemi të gatshëm të pajtohemi me synimin e Prishtinës për të na futur në geto dhe për të hequr të drejtën për lirinë e lëvizjes, e cila është vlera e Evropës moderne dekada më parë dhe që duhet të zbatohet për serbët në këtë zonë”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe, në emër të kryetarëve të katër komunave në veri.

Ndërsa, më tej në komunikatë theksohet se për shkak të vendimit të njëanshëm, serbët janë duke protestuar tash e nëntë ditë.

“Për shkak të vendimit të njëanshëm të Prishtinës, serbët protestojnë në Jarinë dhe Bërnjak tash e nëntë ditë dhe do të qëndrojnë për aq kohë sa është e nevojshme, sepse nuk pajtohen me synimin e Prishtinës për të na futur në kafaze. Është  gënjeshtër se ne jemi të prekur nga kombësia e atij që na heq targat, por vetë qëllimi për t’i hequr ato. Pa marrë parasysh se çfarë uniforme ka veshur dikush”.

Kryetari i Listës Serbe Goran Rakiç dhe komandanti i forcave të KFOR-it, Francesco Federici.

Serbët si arsye për të qëndruar në veri të Kosovës po e shohin praninë e forcave speciale të armatosura.

“Prania e forcave speciale të armatosura deri në dhëmbë që rrahin serbët duarthatë është arsyeja për masivitet dhe këmbënguljen e njerëzve tanë në luftën për të drejtën e lirisë së lëvizjes”.

Gjatë komunikatës, bëhet thirrje që të hiqet reciprociteti me targat e automjeteve nga Serbia.

“Prandaj i bëjmë thirrje edhe një herë Prishtinës që të kthejë gjendjen në periudhën para 20 shtatorit të këtij viti, të tërheqë formacionet e saj të armatosura në dhëmbë dhe të gjejë një zgjidhje të përshtatshme përmes dialogut me Beogradin. Çdo gjë tjetër vetëm do të ndez situatën tashmë të ndezur, të cilën përfaqësuesit tanë po e mbajnë nën kontroll me shumë vështirësi, ndërsa nga ana tjetër, njerëzit tanë po maltretohen nga forcat speciale ROSU”, thuhet në kumtesë.

Që nga orët e hershme të mëngjesit të 20 shtatorit, Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Speciale Operative është vendosur në pikë kalimin e vjetër kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje të komunës së Leposaviçit, për të filluar reciprocitetin e targave.

Të gjitha veturat që deri më tani kanë pasur targa të Serbisë, duhet t’i zëvendësojnë ato me “RKS”, targa të Republikës së Kosovës”, nëse duan të qarkullojnë brenda vendit

Më 27 shtator, Zyra për media e KFOR-it ka njoftuar se kanë marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke i shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet e protestuesve serbë dhe ka vendosur njësitet e veta edhe në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin që ka.

Sipas njoftimit për media të KFOR-it, “masat e marra, që janë biseduar paraprakisht me institucionet e Kosovës dhe kryetarët e komunave veriore, kanë qëllim deeskalimin e shpejt të situatës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore