Shqipëria

Linja e transmetimit mes Shqipërisë dhe RMV-së, nxitje për një treg të hapur energjie


Shqipëria ka nisur ndërtimin e seksionit të vet të interkonjeksionit të transmetimit të energjisë elektrike me Maqedoninë e Veriut.

Sakaq, projekti për lidhjen e Fierit me Manastirin kap vlerën e pak më shumë se 70 milionë eurove.

Të dyja vendet po punojnë në linjën e tyre të parë ajrore 400 kV, e cila do të mundësonte bashkimin e tregut dhe tregtinë e drejtpërdrejtë.

Zyrtarë të Këshillit të Ministrave, ambasadorë dhe përfaqësues të Bankës Gjermane të Zhvillimit KfW zhvilluan një ceremoni të vënies së themelit në kullën e parë të transmetimit, në nënstacionin e Elbasanit.

Maqedonia e Veriut nisi punimet në anën e saj në vitin 2021.

Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor të Bashkimit Evropian (WBIF) akordoi një hua prej 14 milionë euro, si dhe një tjetër, prej 1.1 milionë euro, së bashku me Bashkëpunimin Gjerman për Zhvillim.

Operatori shqiptar i sistemit të transmetimit OST merr pjesë me 5 milionë euro në investim. Është në listën e projekteve me interes të Komunitetit të Energjisë (PECI).

Në Shqipëri, ndërlidhja përbëhet nga linjat midis Fierit dhe Elbasanit, duke përfshirë zgjerimin dhe ndërtimin e nënstacioneve në të dy skajet, përkatësisht, dhe midis Elbasanit dhe qafës malore të Qafës së Thanës në kufi.

Lidhja e tensionit të lartë ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të jetë pjesë e një korridori energjetik nga Bullgaria në drejtim të Italisë

OST ka marrë Joint Venture Mitas Energy dhe Doko si kontraktues për lidhjen e tensionit të lartë gati tre vjet më parë.

Po ashtu nënshkroi një marrëveshje me Mytilineos me bazë në Greqi për nënstacionet në prill 2021.

Ndërkaq, projekti parashikohet të rrisë kapacitetin e transmetimit kufitar të Shqipërisë në 1.5 GW.

Është pjesë e korridorit të planifikuar ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë drejt Italisë, sipas ambasadorit gjerman në Shqipëri Karl Bergner.

“Ky është një projekt strategjik për Shqipërinë, rajonin dhe BE-në. Ne po nxisim një treg të hapur energjie dhe një bashkëpunim më të fortë rajonal për të kontribuar në një treg të unifikuar evropian të energjisë dhe për t’u përafruar me qëllimet e BE-së për klimë”, ka thënë ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.

Sipas tij, linja e re transmetimit ndihmon kalimin drejt energjisë së pastër, duke lehtësuar transmetimin e energjisë së rinovueshme brenda dhe jashtë Shqipërisë.

“BE-ja po jep më shumë se 125 milionë euro në mbështetje granti për Shqipërinë për programe të ndryshme energjetike, të gjitha të orientuara drejt tranzicionit energjetik. Energjia do të mbetet në qendër të bashkëpunimit tonë me Shqipërinë”, ka shtuar ai.

Nga ana tjetër, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka bërë me dije se po zhvillohen bisedime me Greqinë fqinje për të trefishuar kapacitetin e transmetimit ndërkufitar.

OST dhe homologu i saj italian Terna kanë ngritur një grup pune për një ndërlidhje nënujore, shtoi ajo. Ata do të kryejnë një studim fizibiliteti vitin e ardhshëm, sipas Ballukut.

Gjithashtu ajo ka rikujtuar se Komisioni Evropian miratoi në fillim të këtij muaji një grant prej 9.6 milionë eurosh për prodhuesin shtetëror të energjisë elektrike në Shqipëri KESH për projektin e tij të energjisë diellore në Belsh.

Marrë nga “Balkan Green Energy News”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore