Lajme

Lideri i opozitës izraelite: Mesazhi i Ben Gvir për sulmin në Iran është i pafalshëm


Udhëheqësi i opozitës izraelite, Yair Lapid, ka kritikuar ashpër ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, i cili e quajti sulmin e supozuar izraelit ndaj Iranit “të dobët”.

“Kurrë më parë një ministër i kabinetit të sigurisë nuk ka shkaktuar një dëm kaq serioz për sigurinë e vendit, imazhin e tij dhe statusin e tij ndërkombëtar”, shkroi Lapid në X.

Kreu i opozitës izraelite shtoi se “Ben Gvir ia doli për të tallur dhe turpëruar Izraelin, nga Teherani në Washington”.

Deri më tani nuk ka pasur asnjë koment zyrtar nga Izraeli për sulmin në Isfahan, Iran, që i atribuohet shtetit hebre.

Sidoqoftë, Ben Gvir e quajti atë “të dobët”.

Tre shpërthimet e dëgjuara mëngjesin e sotëm në një bazë ajrore iraniane në veri-perëndim të Isfahanit, në Iranin qendror, mediat ndërkombëtare ia atribuuan Izraelit në përgjigje të sulmit iranian në territorin izraelit që ndodhi gjatë natës midis 13 dhe 14 prillit.

Për momentin as Forcat Mbrojtëse të Izraelit dhe as qeveria nuk kanë komentuar atë që ndodhi në Isfahan.

Vlen të kujtojmë se nuk do të ishte hera e parë që Ben Gvir nuk respekton linjën e qeverisë ku bën pjesë, e drejtuar nga Benjamin Netanyahu, duke komentuar disa episode.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore