Lajme

Lideri i Hamasit Ismail Haniyeh do të shkojë në Teheran


Udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh, mësohet se do të shkojë në Teheran.

Kjo vizitë e tij do të jetë për të takuar liderët e Iranit.

Kështu kanë raportuar mediat e huaja këtë të martë, duke përfshirë edhe Haaretz.

Sakaq, takimi vjen një ditë pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që kërkon një armëpushim të menjëhershëm midis Izraelit dhe grupit palestinez.

Irani ka mbështetur Hamasin në luftën gati gjashtëmujore me Izraelin që ka vrarë më shumë se 32 mijë palestinezë në Gaza.

Kjo do të jetë vizita e dytë e Haniyeh në Iran që nga shpërthimi i luftës më 7 tetor.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane Nasser Kanaani e quajti rezolutën e së hënës një “hap pozitiv”.

“Një hap më i rëndësishëm është veprimi efektiv për zbatimin e tij”, ka shtuar Kanaani.

Hamasi përshëndeti rezolutën e OKB-së, por tha se armëpushimi duhet të jetë i përhershëm.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës abstenuan nga votimi i OKB-së, duke shkaktuar një grindje me aleatin e saj Izraelin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore