Kosova

LDK për raportin e Bankës Botërore që e promovoi LVV: Plot 9 herë kemi qenë të parët në rajon – asgjë e pazakontë këtë vit


Ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cilësoi “propagandë” përpjekjen e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që të shpërfaqë rritjen ekonomike në vend si më të madhen në rajon, posaçërisht pas publikimit të raportit të Bankës Botërore (BB), ku vlerësohet se Kosova sivjet pritet që të shënojë rritje ekonomike prej 3.7 për qind, ndërsa vitin e ardhshëm prej 3.9 për qind.

“Ajo do të jetë vetëm 3.7%, sërish më e ulët se mesatarja e 10 viteve para populliste; por mjaftueshëm për të bërë material propagandistik. Sa për rikujtim, ky pushtet kishte premtuar rritje ekonomike prej 6%. Sot, konstatojnë rritjen prej 3.7%. E në vend të pranimit të dështimit pothuajse për gjysmë, gjejnë si mburrje krahasimin me rajon”, vlerësoi LDK-ja.

“Aty jepet rritja ekonomike vjetore në shtetet e njëjta që pushteti i promovon. Në 9 nga 11 vitet pas pavarësisë, Kosova ka patur rritjen më të madhe ekonomike në rajon. Plot 9 herë nga 11 vite kemi qenë të parët në rajon. Pra asgjë e pazakontë këtë vit! Mburrja e sivjetme është veçse zakonshmëri!”, shkroi LDK-ja në kuadër të fushatës “faktet para propagandës”.

“Kosovës i duhet rritje ekonomike 5 deri në 6% për të konsideruar zhvillim dallues me rajon! Me këtë trend, vendit tonë i duhen 40 vite për të arritur Kroacinë! Nuk kemi zhvillim, sepse nuk ka investime! Pa investime nuk mund të ketë zhvillim. Propaganda është e thatë! Ajo mashtron por nuk ofron! Kosova po mashtrohet!”, përfundoi komentin ky subjekt politik.

Kosova pritet ta ketë rritjen më të lartë në rajon sivjet në bazë të raportit të fundit, por jo sikurse e paraqiti pushteti – prej 3.7 për qind e që është për 0.6 për qind më shumë krahasuar me vitin paraprak. Ndërkaq, sipas raportit të BB-së, rritja graduale e investimeve do të ndikojë gjithashtu që progresi ekonomik të vazhdojë edhe më 2025, duke arritur në 3.9 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore