Kosova

Haradinaj, Qeverisë: Dialogu me sindikatat u shndërrua në platformë monologu, asnjë progres i shënuar


Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se me pushtetin aktual të kryeministrit Albin Kurti, s’është bërë asnjë progres në drejtim të punëtorëve.

Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka theksuar se veprimet e duhura s’i ka marrë asnjëherë deri tani Qeveria.

“Qeveritë e përgjegjshme bëjnë çmos që të drejtat, kushtet dhe mundësitë e punëmarrësve të shënojnë progres. Qeveria Kurti ka bërë krejt çfarë nuk është dashur, që gjendja në tregun e punës të mos shënojë asnjë progres”.

Tutje ai ka përmendur edhe rritjen e çmimeve duke përmendur faktin se paga minimale s’është rritur.

“Paga minimale mbetet një formë e asistencës sociale. Paga mesatare mezi prek kufirin e mbijetesës. Në përgjithësi pagat në sektorin publik dhe atë privat mbetën më të ultat në rajon. Kjo madje në një periudhë kur inflacioni është i papranushëm për kapacitetin e mangët financiar dhe ekonomik në nivel vendi”.

“Sikur kjo të mos ketë mjaftuar, punëmarrësit e sektorit më të madh, atij publik, vazhdimisht përballen me trajtim jo meritor dhe diskriminues”, ka shkruar ai.

Ndër të tjera, ka kritikuar pushtetin edhe për moszgjidhjen e problemeve me sindika përmes komunikimit.

“Dialogu me sindikata është transformuar në një platformë monolgu, ku qeveria Kurti justifikon dështimet, shpërfaqë arrogancën, dhe monopolizon vendimmarrjen në lidhje me zhvillimin njerëzor dhe ekonomik”.

“Pra edhe sot, më 1 maj, shohim më shumë retorikë, më shumë uniformitet, më shumë migrim, dhe më pak shpresë. Kjo është oferta e një qeverie populiste!”.

1 maji është Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, në Kosovë Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK), ka protestuar në Prishtinë.

Nga kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, është potencuar se Qeveria e Kosovës po vazhdon t’i largohet dialogut.

Kërkesë e protestuesve ka qenë që Qeveria të veprojë në mënyrë që të mos përsëritet viti 2022, kur kishte grevë disamuajshe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore