Lajme

Largimi i kamerave ilegale, Komuna e Shtërpcës: S’kanë qenë funksionale qe një kohë të gjatë


Komuna e Shtërpcës ka reaguar pasi Agjencia për Informim dhe Privatësi përmes një njoftimi zyrtar ka bërë të ditur se janë konfiskuar kamerat ilegale nga ky qytet.

“Kamerat, si të gjitha kamerat e tjera publike në afërsi të objekteve fetare dhe arsimore janë vendosur në mënyrë të ligjshme, sipas procedurave ligjore. Edhe njëherë përsërisim informacionin se përveç afër shkollës në Brezovicë, të gjitha kamerat e tjera nuk kanë qenë në funksion qe një kohë të gjatë”, thuhet në reagim.

Sipas reagimit, komuna pretendon se është një proces “me sfond politik”.

“Qytetarët e Komunës së Shtërpcës kanë qenë nën presione të ndryshme institucionale dhe dhunë që vijnë nga Prishtina. Nevoja për kriminalizimin e vazhdueshëm të komunës së Shtërpcës është diçka që kemi qenë dëshmitarë për një kohë të gjatë”.

Po ashtu në reagim thuhet se “komuna e Shtërpcës do të qëndrojë gjithmonë në anën e së vërtetës dhe drejtësisë, “sepse ne besojmë se kjo është mënyra e vetme për të vendosur vlera normale të jetës”.

Ndryshe, me urdhër të Gjykatës Themelore të Ferizajt, Policia e Kosovës në korrik të vitit të kaluar kishte kryer një aksion për të sekuestruar kamera të sigurisë të vendosura nga strukturat ilegale serbe në Komunën e Shtërpcës.

Në atë kohë, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj kishin deklaruar se janë bastisur disa lokacione dhe janë sekuestruar edhe disa kamera, pajisje e dokumente të strukturave ilegale serbe.

Këto kamera dyshohej se monitoroheshin nga një shkollë, nga një televizion lokal, si dhe nga një vend afër postës së qytetit.

Nga Prokuroria thuhej se pamjet e regjistruara ishin përcjellur deri te strukturat e sigurisë në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore