Kosova

Lajçaku synon t’i bind Bislimin e Petkoviçin të ndërmarrin “hapa konkretë” drejt implementimit të marrëveshjes


Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, teksa ka bërë një përmbledhje të takimeve që i ka zhvilluar gjatë javës së kaluar, ka thënë se edhe pas takimeve që i ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç, nuk ka parë ndonjë përparim në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

“Fatkeqësisht nuk kemi parë ndonjë përparim në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Diskutimet ishin sfiduese si kurrë më parë. Megjithatë, puna jonë vazhdon nesër kur do të mbledh kryengociatorët për hapat konkretë për zhbllokimin e zbatimit të Marrëveshjes”, shkroi Lajçak në Facebook.

Një cikël i ri i negociatave pritet të mbahet të martën (nesër, 2 korrik) në kryeqendren evropiane midis kryenegocitorëve të Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç. Lajçak, synon të arrijë progres në implementimin e marrëveshjeve deri në fund të mandatit.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, nuk kanë arritur t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore