Lajme

Ky korrik ishte më i nxehti i regjistruar ndonjëherë, sipas OKB-së


Korriku i këtij viti ka qenë më i nxehti i regjistruar ndonjëherë.

Temperaturat globale kanë qenë gati gjysmë gradë mbi mesataren, sipas agjencisë së motit të OKB-së.

“Bota sapo pati një nga tre muajt korrik më të ngrohtë të regjistruar”, ka treguar Clare Nullis, zëdhënëse e Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO).

Duke treguar të dhënat e reja nga shërbimi evropian i monitorimit Copernicus, ajo ka thënë se korriku 2022 ka qenë pak më i freskët se i njëjti muaj i 2019-ës dhe pak më i ngrohtë se ai i 2016-ës.

“Dallimi midis tre muajve është shumë i afërt për t’u dalluar, prandaj ne po themi një nga tre më të ngrohtët”, ka thënë Nullis.

Muajin e kaluar, temperaturat globalisht kanë qenë 0.4 gradë Celsius mbi mesataren e periudhës 1991-2020.

Dhe kjo përkundër faktit se fenomeni i motit La Nina, i cili e ka mbajtur globin në kthetrat e tij thuajse të pandërprerë që nga shtatori 2020, është “menduar të ketë një ndikim ftohës”.

Sidomos vera evropiane ka parë valë ekstreme të të nxehtit dhe thatësirë, me rekorde të ulëta të reshjeve në disa vende, sipas WMO.

Nullis ka treguar po ashtu se korriku i këtij viti ka qenë muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Spanjë.

Për shkencëtarët, valët e përsëritura të të nxehtit janë një tregues i qartë i ngrohjes globale.

Muajin e kaluar, WMO paralajmëroi se valët e të nxehtit si ato në Evropën Perëndimore po bëheshin më të shpeshta dhe do të bëheshin një normalitet i ri në dekadat në vijim.

Pavarësisht nxehtësisë mbytëse në Evropë dhe gjetkë, korriku nuk theu qartë një rekord global të nxehtësisë muajin e kaluar.

Kjo pasi zona të tjera, duke përfshirë ato përgjatë Oqeanit Indian perëndimor dhe pjesën më të madhe të Azisë qendrore dhe Australisë, panë temperatura nën mesataren.

Marrë nga “Barron’s”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore