Shqipëria

Kuvendi voton pro: Denar Bibaj në krye të Autoritetit të Konkurrencës


Kuvendi i Republikës së Shqipërisë të enjten e 9 dhjetorit në seancën e radhës ka miratuar emërimin e Denar Bibajt në krye të Autoritetit të Konkurrencës.

Me 72 vota pro, 37 kundër dhe zero abstenime, Biba zyrtarisht është kryetari i Autoritetit të Konkurrencës.

Denar Biba, gjatë propozimit të emrit të tij në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, shkaktoi polemika, pasi opozita dhe deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, patën një reagim kundër.

Kjo për faktin se, sipas tyre, Biba është akuzuar nga një anëtar i Gjykatës së Strasburg-ut.

“Ne absolutisht nuk gjykojmë që zotëria do të ketë besimin e një pjese të mirë, jo vetëm të opozitës, por edhe shoqërisë”, theksoi kreu i Grupit Parlamentar të demokratëve, Alfred Rushaj.

Ndërsa ish-zëvendëskryeministri Braçe, në fjalën e tij, ka thënë se, “Denar Biba nuk ka qenë asnjëherë funksionar i PS-së, as anëtar, as deputet i saj, as kryetar organizate. Detyra e kryetarit të Komisionit të Zgjedhjeve nuk është politike, është kushtetuese”.

Më tej, ai vijoi, duke thënë se ka “rezerva” për sa u përket detyrave që ka marrë përsipër ndër vite Biba.

Biba ka zëvendësuar Juliana Latifin. Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës zgjidhet çdo pesë vjet nga Parlamenti.

Tashmë Kuvendi e tha fjalën: Denar Biba do të jetë kryetar i Autoritetit të Konkurrencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore