Lajme

Kuvendi i Kosovës përsëri në pauzë, Konjufca bën thirrje për kompromis


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka lajmëruar edhe për një pushim një orësh, pasi që partitë opozitare po e pamundësojnë zhvillimin e rregullt të seancës plenare.

“Meqenëse një pjesë e opozitës po e bllokon seancën atëherë po e marrim edhe një orë pushim dhe po vazhdojmë mos po mund të gjejmë kompromis në zyrën time kryetarët e grupeve”, ka thënë Konjufca.

Ndonëse jo brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, reagim ndaj shtyrjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, ka pasur edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së dhe njëherit organizatorit të protestës së veteranëve, Faton Klinaku, i cili është shprehur se Konjufca me shtyrjen e seancës po mendon se mund t’i dërmojë protestuesit.

“Glauk Konjufca si kryetar i kuvendit serish e ka shtyrë seancën ai po mendon qe na lodh neve, ne do te vazhdojmë të qëndrojmë”, është shprehur Klinaku.

Ndryshe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e kanë bllokuar sërish foltoren e Kuvendit të Kosovës, me pretekstin se seanca në fjalë nuk duhet të vazhdohet, me asnjë pikë të rendit të ditës, deri sa çështja e veteranëve të zgjidhet.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka këmbëngulur në mos vazhdimin e seancës në fjalë, pa konsultimin me veteranët, ani pse kryeministri Kurti premtoi që nesër do të takojë veteranët, së bashku me ministrin e Financave dhe kryetarin e komisionit për buxhet dhe financa.

“Sot seanca e Kuvendit të Kosovës nuk mund të vazhdohet me normalitet, nuk mundet me pas seancë, sepse kërkesat e tyre janë ndaj neve si deputetët e Kuvendit të Kosovës, asnjë grup parlamentar nuk e ka organizuar protestën nuk jemi në ballë të asaj proteste, mirëpo ata protestues kanë kërkesa ndaj neve dhe kërkesat nuk janë të ditës së sotshme, por ju nuk keni dashur të dëgjoni i keni injoruar me vazhdimësi. Sot seancë nuk do të ketë, ne nuk do të trajtojmë asnjë pikë pa i respektuar ata protestues”, ka thënë Tahiri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore