Shqipëria

Kuvendi është i vendosur për të mbështetur Gjykatën Kushtetuese, thotë Nikolla


Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka thënë se Kuvendi është i vendosur për mbrojtjen e Kushtetutës dhe mbështetjen e Gjykatës Kushtetuese.

Këtë, në Konferencën Ndërkombëtare me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas saj, Gjykata Kushtetuese ishte ndër institucionet e para që konfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë në rrugën e ndryshimeve drejt ndërtimit të sistemit të demokracisë liberale.

“Dëshiroj të nënvizoj që në fillim se Kuvendi është i vendosur deri në fund për mbrojtjen e Kushtetutës, mbështetur në parimin universal të Magna Carta se demokracia mund të realizohet si demokraci nën ligj”, ka thënë ajo.

Nikolla ka vijuar duke thënë se Gjykata Kushtetuese është përpjekur të bëhet garante e Kushtetutës dhe e Republikës edhe pse kjo nuk ka qenë e lehtë.

“Në 30-vjetorin e saj, Gjykata Kushtetuese ka një bilanc në mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit kombëtar, ashtu siç ka edhe prova të trysnive ndaj saj. Si edhe ndaj organeve të tjera të sistemit”, ka vazhduar ajo.

Dhe se, këto trysni, sollën nevojën për zbatimin e reformës në drejtësi.

Kuvendi i Shqipërisë, sipas saj, ka mbështetur e po mbështet fuqimisht realizimin e Reformës në Drejtësi.

Sakaq, Nikolla ka treguar se Kuvendi ka marrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Kuvendi do të kontribuojë edhe në ngushtimin e defiçitit demokratik, nëpërmjet rritjes së  transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve e shoqërisë civile në procesin legjislativ dhe në sistemin demokratik”, ka ravijëzuar ajo.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore