Lajme

Kushtetuta kundërshton vaksinimin e detyrueshëm në Kosovë


Ilustrim

Në nenin 26 të Kushtetutës së Kosovës thuhet se, “secili person ka të drejtën që të mos i nënshtrohet trajtimit mjekësor kundër vullnetit të tij/saj në pajtim me ligjin, të drejtën që të mos marrë pjesë në eksperimente mjekësore ose shkencore, pa pëlqimin paraprak të saj/tij”.

Edhe ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së COVID-19, i miratuar në gusht të vitit të kaluar nga Kuvendi i Kosovës, vaksinimin nuk e bën të obligueshëm.

Eksperti i çështjeve juridike – kushtetuese, Mazllum Baraliu, në një intervistë për Albanian Post deklaroi se për të u bërë vaksinimi obligativ duhet ndryshuar legjislacioni.

“Vaksinimi është fakultativ ose opsional. Duhet ndryshuar legjislacioni, për të bërë obligativ. Deri atëherë i mbetet institucioneve kompetente, që të bëjnë vetëdijesimin përmes kanaleve publike të komunikimit dhe qytetarëve, që të vetëdijesohen më shumë e më shpejtë”, thotë Baraliu.

Megjithatë, sipas, Anton Nrecaj, këshilltar i lartë në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal, në një prononcim për Albanian Post, thotë se kjo çështje nuk duhet të vihet në diskutim asnjëherë, sepse kemi të bëjmë me një pandemi shumë të rrezikshme për jetën e qytetarëve.

“Kushtetua e Kosovës, përcakton të të drejtën e qytetarëve të vullnetit të lirë, mirëpo karshi kësaj shteti respektivisht qeveria ka obligim kushtetutës shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve”.

Nrecaj thekson se në situata të tilla duhet të merren masa emergjente, edhe nëse shkelën të drejtat e njeriut.

“Në situate emergjente të krizave pandemie është e rëndësishme dhe prioritet jeta shëndeti i qytetarëve, prandaj konsideroj se duhet të merren masa emergjente edhe pse ndoshta mund të preken, respektivisht mund të shkelën të drejtat e njeriut”.

Ai shton se, “jemi duke shkuar drejt atij procesi ku vaksinimi, do të jetë i detyrueshëm me apo pa ndryshime ligjore. Herët a vonë Kosova do të jetë e detyruar të veproj karshi masave dhe ndryshimeve ligjore që janë duke ndodhur në vendet e Bashkimit Evropian”.

Yll Zekaj, menaxher i projekteve në Institutin e Kosovës për Drejtësi, deklaron se sipas Kushtetutës së Kosovës duhet t’i kushtohet kujdes të drejtave që kufizohen.

“Institucionet publike duhet t’i kushtojnë kujdes të drejtave që kufizohet, rëndësisë së qëllimit të kufizimit, natyrës dhe vëllimit të kufizimit, raportit midis kufizimit dhe qëllimit që synohet të arrihet, si dhe të shqyrtojnë mundësinë e realizimit të atij qëllimi me kufizim më të vogël”, shprehet Zekaj.

Ai potencon se sipas nenit 55 të Kushtetutës, ligji për parandalimin e pandemisë COVID-19, i jep autorizim ministrisë së Shëndetësisë edhe në kufizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut.

“Në frymën e nenit 55 të Kushtetutës, Ligji për parandalimin e pandemisë COVID-19, i jep autorizime ministrisë se Shëndetësisë edhe në kufizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, për aq sa një gjë e tillë është e domosdoshme për luftimin dhe pengimin e përhapjes së sëmundjes COVID–19, përveç lirive dhe të drejtave të njeriut të përcaktuara me nenin 56(2) të Kushtetutës”.

Ndërsa, shprehet se institucionet dhe qytetarët e Kosovës, janë të obliguar të respektojnë vendimet e ministrisë së Shëndetësisë sipas autorizimeve që dalin nga ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

“Këtu përfshihen edhe vendimet qe përcaktojnë formën dhe obligimet në procesin e vaksinimit. Kurse institucionet shëndetësore duhet të rrisin kapacitetet e tyre, për t’iu mundësuar qytetarëve realizimin e kërkesave qe dalin nga vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë në raport me procesin e vaksinimit”.

Por, pavarësisht kësaj Zekaj thotë se, “MSH-ja duhet të shqyrtojë çdo here mundësinë e realizimit të qëllimit për luftimin dhe pengimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19, me kufizime sa më të lehta të të drejtave dhe lirive të njeriut”.

Me miratimin e ligjit për parandalimin e Coronavirusit, Qeveria e Republikës së Kosovës obligohet që të sigurojë për të gjithë qytetarët vaksina të mjaftueshme kundër sëmundjes COVID-19.

Disa kategori në Kosovë të obligueshëm vaksinimin

Albanian Post ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me vaksinimin e detyrueshëm, por që nuk janë përgjigjur.

Nga MSH-ja është theksuar vetëm një nga masat e Qeverisë së Kosovës, e cila në një formë, për disa kategori e bën të obligueshëm vaksinimin.

Me masat e reja kundër COVID-19, nga 13 shtatori, të gjithë shërbyesit civilë obligohen të posedojnë certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër Coronavirusit ose testin e shpejtë antigjen negativ, jo më të vjetër se 48 orë. Ky test zakonisht bëhet në laboratorët privatë dhe kushton rreth 10 euro.

Ndryshe, në sektorin publik në Kosovë llogaritet të jenë të punësuar rreth 85 mijë qytetarë.

Deri të martën e 7 shtatorit, mbi 325 mijë qytetarë të Kosovës i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës kundër Coronavirusit.

Më 6 shtator,  në Kosovë kanë arritur 556 mijë vaksina anti-COVID të kompanisë Pfizer, si donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përveç 503 mijëve, kanë ardhur edhe 54 mijë vaksina javore me kontratën mes Pfizerit dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Vaksinimi i detyrueshëm në Evropë dhe SHBA

Vendi i parë evropian që e bëri të detyrueshëm vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë është Italia.

Po ashtu, në Francë, punëtorët shëndetësorë dhe zjarrfikësit e kanë për obligim që të vaksinohen.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë marrë vendim që vaksina të bëhet e detyrueshme për të gjithë personelin e ushtrisë dhe po ashtu kanë lejuar që kompanitë, veç e veç, të vendosin nëse duan që punëtorëve të tyre t’ua kërkojnë dëshminë e vaksinës.

Së fundmi, Shqipëria është një nga vendet e rajonit ku është kërkuar që vaksinimi të bëhet i detyrueshëm për disa kategori. Nga fillimi i muajit tetor vaksinimi i detyrueshëm është kërkuar të bëhet për stafin mjekësor, pedagogët dhe studentët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore