Lajme

Kushtetuesja konstaton se amendamenti për personat me aftësi të kufizuara nuk i pakëson liritë themelore


Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e ka shpallur të pranueshme kërkesën e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, për vlerësim dhe ka konstatuar se amendamenti i propozuar për shtimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar nuk i pakëson liritë themelore.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate nga Gjykata Kushtetuese.

Kushtetuesja, në vendimin e saj ka thënë se ka analizuar parimet kryesore të përcaktuara me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

“Dhe vuri theks në të drejtat që ajo përcakton lidhur me (i) respektin për dinjitetin e natyrshëm, autonominë individuale, përfshirë lirinë për të bërë zgjedhjet personale dhe pavarësinë e personit me aftësi të kufizuara; (ii) respektimin e parimit të mosdiskriminimit;(iii) pjesëmarrjen dhe  përfshirjen e plotë dhe efektive të personave me aftësi të kufizuara në shoqëri”.

“(iv) respektin për ndryshimin dhe pranimin e personave me aftësi të kufizuara si pjesë e diversitetit njerëzor dhe humanizmit; (v) respektin për kapacitetet në zhvillimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara; si dhe (vi) respektin për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara për të ruajtur identitetin e tyre”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Nga Gjykata është thënë se janë marrë parasysh detyrimet pozitive që merr përsipër Kosova përmes këtij amendamenti kushtetues.

“Për ndërmarrjen e (i) masave të nevojshme legjislative; si dhe (ii) masave të tjera, duke krijuar mekanizma në funksion të zbatimit të plotë të Konventës në fjalë”, thuhet tutje në njoftimin e Kushtetueses.

Nga viti 2009 Kosova ka një ligj të veçantë që obligon çdo institucion publik dhe privat që në çdo 50 punëtorë të ketë të punësuar një person me aftësi të kufizuar.

Ligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara ka për qëllim të avancojë pozitën socio-materiale dhe integrimit në jetën e përditshme të personave me aftësi të kufizuara.

Sipas këtij ligji, punëdhënësi i cili nuk i përmbush detyrimet që dalin nga ligji, obligohet që për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara, të paguajë në buxhetin e Kosovës kontribute mujore në lartësi prej 1 për qind të shumës së pagës minimale.

Përkundër kësaj ky ligj nuk gjen zbatim në praktikë.

Kosova, kritika ka vazhdimisht edhe për ofrimin e dobët të shërbimeve për këtë kategori të qytetarëve si dhe për ofrimin e qasjes në arsim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore