Lajme

Kushtetuesja hedh poshtë ankesën e Listës Serbe për ndarjen e ministrive


Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese të premten ka hedhur poshtë ankesën e Listës Serbe që më 29 mars ishte ankuar se Qeveria Kurti nuk ia kishte dhënë dy ministri komunitetit joshumicë serbë.

Në vendimin e saj, Kushtetuesja thotë se “është i detyrueshëm konsultimi ose miratimi i deputetëve që përfaqësojnë ‘komunitetin në fjalë’, përkatësisht deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb ose që përfaqësojnë komunitetet tjera jo shumicë, varësisht nëse kandidati përkatës është deputet i Kuvendit ose jo, dhe jo shumica e të gjithë deputetëve që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë”.

Qeveria Kurti, çështjen e ndarjes së ministrisë së tretë për deputetët joshumicë, e kishte caktuar në diskutim me deputetët e zgjedhur apo anëtarët e komuniteteve në fjalë.

Lista serbe.

Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata theksoi se ministri i “tretë” nga komunitetet jo shumicë, përkatësisht Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, ishte deputet i Kuvendit i zgjedhur në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, i deklaruar se përfaqëson një nga komunitetet tjera jo shumicë në Kuvend në kuptim të nenit 64 të Kushtetutës dhe i cili është propozuar për këtë pozitë në konsultim me deputetët që përfaqësojnë komunitetet e tjera jo shumicë në Kuvend.

“Prandaj, Gjykata konstatoi që, Vendimi i kontestuar i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë nuk është nxjerrë në kundërshtim me paragrafët 3 dhe 5 të nenit 96 të Kushtetutës”, thuhet tutje.

Lista Serbe paraqiti më 29 mars në emër të dhjetë deputetëve të kësaj partie dhe deputetëve të Partisë së Bashkuar Gorane një ankesë në Gjykatën Kushtetuese “në mënyrë që të mbrojë interesat e popullit serb”.

Lista Serbe kishte kërkuar nga Qeveria Kurti dy ministri, derisa ka marrë vetëm atë për Komunitete dhe Kthim, e udhëhequr nga Goran Rakiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore