Kosova

Kushtet e Kurtit për takim me Vuçiç-in: Thjesht blof, lojë me publikun


Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiç

Refuzimi i Albin Kurtit për t’u takuar të mërkurën me Aleksandër Vuçiç-in, dhe prezantimi i tri kushteve sipas njohësve të çështjeve dhe akterëve të rëndësishëm politikë opozitarë në vend, është bërë për konsum të brendshëm, assesi për efekt të negociatave.

Sipas të prononcuarve të Albanian Post, Kurti, siç ka bërë edhe në rastet e tjera, nuk do t’i mbajë tri kushtet që i paraqiti për t’u takuar me Vuçiç-in.

Të mërkurën, në kryeqendrën evropiane, Bruksel, ndonëse ishte paralajmëruar, nuk pati takim trelateral, në mes të Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë me ndërmjetësimin e përfaqësuesve evropianë, por vetëm bilaterale – mes BE-së dhe liderëve të vendeve përkatëse.

Kjo, siç tha shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, për shkak se Kosova, përkatësisht kryeministri Kurti, nuk ishte i gatshëm, pasi që para se të ndodhë kjo, parashtroi tri kushte, të cilat ai i quajti “garancione”:

Nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë, anulimin e letrës së ish-kryeministres serbe, Ana Brnabiç – ku theksohej se Serbia ka hequr dorë nga Marrëveshja – dhe dorëzimin e kryekriminelit Milan Radojiçiç.

Por, në vlerësimin e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, takimi ka qenë i vendosur në parimin “jemi marrë vesh për të mos u marrë vesh”.

“Kurti deklaroi në Prishtinë se po shkon për të parë se ku ka mbetur çështja e dialogut, ndërsa kur shkoi në Bruksel tha se janë tri kushte”, thotë Haziri për AP.

Zaten, sipas numrit dy të LDK-së, Kurti këto 3 vite ka ndërtuar “marrëdhënie të kushtëzuara” me BE-në, dhe natyrisht marrëdhëniet e kushtëzuara “Kosovës i kanë kushtuar me sanksione financiare, dhe kushtëzime të tjera për takime”.

“Përkundër kësaj, Kurti po vazhdon në nivelin e njëjtë”, shton ai.

Lutfi Haziri

Se sa do t’i mbajë Kurti tri kushtet, Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës përmend si referencë gjashtë kushtet e famshme që kryeministri i kishte paraqitur para deputetëve, më 2 shkurt të vitit të kaluar, për pranimin e Asociacionit, të cilat mbetën vetëm fjali të artikuluara nga kreu i ekzekutivit, dhe s’u shndërruan asnjëherë në realitet.

“Ngjashëm, edhe këto ‘kushte’ do të avullohen”, thekson me bindje Vlora Çitaku për AP.

Vlora Çitaku

E tëra kjo sagë, në prizmin e Çitakut është “vetëm për konsum të brendshëm”.

Mostakimi i Kurtit me Vuçiç-in, për njohësin e çështjeve politike, Shkodran Ramadani, nuk ka qenë befasi.

Jo të befasuseshme kanë qenë edhe tri kushtet e tij, për të cilat është i bindur se janë të parealizueshme.

“Nëse kryeministri i mban këto kushte kurrë nuk do të ketë më takim Kurti-Vuçiç”, potencon Ramadani për AP, derisa thekson se kushtet nuk do të mbahen, ashtu siç nuk janë mbajtur deri më tani.

“Edhe në fund të vitit të kaluar Kurti ka thënë që për të pasur normalizim të raporteve, Serbia duhet ta dorëzojë Radojiçiç-in, po kjo nuk ka ndodhur. Negociatat kanë vazhduar për çështjen e dinarit”, rikujton ai.

Vetë Kurti refuzoi që ta takojë Vuçiç-in, por njoftoi që javën e ardhshme, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë në nivel të kryenegociatorëve – pa u plotësuar tri kushtet e tij.

Duke pasur parasysh këtë, për sociologun Ramadani është tregues i mjaftueshëm për “joseriozitetin” e qeverisë.

“Është thjeshtë një blof, një lojë me publikun për shkak se në një anë negociatat po vazhdojnë me vartësit e tyre, që i bie në një anë Kurti dhe Vuçiç-i po negociojnë përmes vartësve të tyre, në anën tjetër thotë që nuk takohem pa u plotësuar kushtet”.

Shkodran Ramadani

Pra, në vlerësimin e tij, takimet e së mërkurës më shumë kanë të bëjë me zhbllokimin e situatës, “me përgatitjet për takimet e radhës”.

“Pres që herdokur takimet do të rikthehen në dinamikë dhe në agjendë, kështu që nuk është për t’u marr seriozisht asnjë prej kushteve të parashtruara dje”, nënvizon Ramadani.

Ndryshe, takimet e 26 qershorit përfunduan pa ndonjë rezultat konkret, pasi që nuk pati takim trelateral, pasi që palët ishin barrikaduar në pozicionet e tyre, të cilat Josep Borrell e Miroslav Lajçak, në rolin e ndërmjetësit nuk arritën që t’i lëvizin.

Gjashtë kushtet e Kurtit janë zero kushte për themelimin e Asociacionit – një dekonstruktim i thjeshtë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore