Lajme

Kush është Vjosa Osmani, Presidentja e Kosovës?


Pasi mori besimin e mbi 300 mijë qytetarëve, duke u bërë politikanja më e votuar ndonjëherë në historinë e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani arriti të ulet në karrigen e shefes së shtetit me mandat të plotë.

U deshën dy seanca dhe tre raunde votimesh që Osmani të fitojë besimin e 71 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të qenë në krye të vendit në pesë vjetët e ardhshme.

Veç deputetëve të Vetëvendosjes, në zgjedhjen e saj kontribuuan edhe 12 nga 15 deputetët e LDK-së, komunitetet joserbe dhe nga një deputete prej Partisë Demokratike të Kosovës e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti këto që bojkotuan seancën e zgjedhjes së presidentit.

Ajo është gruaja e dytë që votohet nga Parlamenti i Kosovës për këtë post dhe presidentja e gjashtë me radhë e Kosovës.

Aktiviteti politik

Vjosa Osmani kishte shërbyer si shefe e kabinetit të ish presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ka qenë tri herë deputete dhe tani është zgjedhur presidente e Kosovës.

Duke qenë e anëtarësuar në LDK, Osmani u zgjodh deputete në Kuvendin e Kosovës që nga viti 2010.

Në listën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010, Osmani pati arritur t’i marrë nëntë mijë e 778 vota duke u radhitur si e 13-ta në listën e LDK-së.

Garës për të qenë përfaqësuese e popullit i hyri edhe në zgjedhjet e vitit 2014, ku doli si gruaja më e votuar në Kosovë me 39 mijë e 911 vota dhe u rendit si e dyta në listë.

Parlamenti i Kosovës në 2014, kishte vendosur që me 73 vota pro dhe 38 kundër kabinetin e ri qeverisës në Kosovë, në krye me kryeministrin e ri, Isa Mustafa.

Vjosa Osmani, e kishte kundërshtuar koalicionin midis LDK-së dhe Partisë Demokratike të Kosovës prandaj ajo nuk e pati votuar Isa Mustafën, i cili ishte kandidat për kryeministër.

Në zgjedhjet e brendshme të partisë në 2015, kandidatura e saj për kryetare nuk u përkrahë në vota.

Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2017, nga gjithsejtë 110 kandidatë për deputetë nga LDK-ja, Osmani mbante numrin rendor 81, për të cilin thoshte se numri 81 nuk ka rëndësi, sepse qytetarët janë ata që tregojnë vlerësimin për secilin kandidat.

Në këto zgjedhje ku LDK-ja ishte në koalicion me Aleancën Kosova e Re, Osmani arriti t’i sigurojë 64 mijë e 147 vota.

Në zgjedhjet e ardhshme, ato të vitit 2019 LDK-ja e kandidoi për kryeministre.

Osmani, si e para e LDK-së në listë, kishte arritur të sigurojë 176 mijë e 016 vota.

LDK-ja më pas, edhe me insistimin e Osmanit, futet në koalicion me Vetëvendosjen, dhe Osmani zgjedhet kryetare e Parlamentit të Kosovës.

Por, qeverisja e dy partive, deri atëherë rivale, nuk zgjati shumë.

Me shkarkimin e ministrit nga radhët e LDK-së, Agim Veliut, u shpërfaqë krisja e madhe dhe LDK u tërhoq nga koalicioni duke bërë aleancë me partitë tjera opozitare për ta rrëzuar Albin Kurtin.

Osmani mbajti anën e Kurtit dhe nuk e votojë rrëzimin e qeverisë. LDK-ja më pas e shkarkoi nga të gjitha funksionet partiake.

LDK-ja bashkë me AAK-në dhe minoritetet formoi qeveri të re. Por, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi, duke gjetur gabime në procedurën e votimit, prandaj vendi shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Osmani, e larguar nga LDK, formoi një iniciativë të vetën me emrin “Guxo”. Meqë ende nuk ishte regjistruar si parti politike ajo iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje, duke formuar një listë të përbashkët zgjedhore.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Vjosa Osmani arriti të bëhet kandidatja më e votuar në historinë e Kosovës me plotë 300 mijë e 756 vota.

Karriera akademike – doktor shkence e juridikut

Vjosa Osmani përfundoi studimet universitare në Fakultetin e Juridikut, në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet master dhe doktoratën e përfundoi në Universitetin e Pitsburgut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në përbërjen e Kuvendit të kaluar ka qenë kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.

Më herët ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe nënkryetare e Komisionit për Reforma Kushtetuese në Kosovë.

Ka publikuar libra, artikuj, monografi dhe punime nga fusha e të Drejtës Ndërkombëtare dhe Komerciale, si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në atë angleze.

Ajo u lind më 17 maj 1982, në Mitrovicë, është e martuar dhe është nënë e dy fëmijëve.

Vjosa Osmani është presidentja e gjashtë e vendit pas Ibrahim Rugovës, Fatmir Sejdiut, Behgjet Pacollit, Atifete Jahjagës dhe Hashim Thaçit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore