Lajme

Kurti: Vettingu i domosdoshëm, kemi nevojë për prokurorë të drejtë e gjykatës efikas


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të mërkurën ka marrë pjesë në takimin e parë të grupit punues për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë.

Ai tha se njëra ndër shtyllat e shtetit funksional është sundimi i ligjit dhe drejtësia efikase.

“Sistemi ynë i drejtësisë është i brishtë në mungesë të rezultateve dhe llogaridhënës e me drejtësi selektive të pabarabartë. Mungesa e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor e prokurorial, vazhdon ta karakterizoj sistemin e drejtësisë”, deklaroi Kurti.

Për defektet dhe dështimet i pari i Qeverisë së Kosovës tha se përgjigja e vetme është vettingu.

“Pa dyshim që njëra nga shtyllat të shtetit funksional është sundimi i ligjit dhe drejtësia efikase”.

Kryeministri, theksoi se reformat janë të nevojshme dhe se janë të vendosur që të bëjnë një gjë të tillë.

“Diskutimet për nevojën e reformave në drejtësi janë prapa nesh, tashmë nuk kemi dilemë se a duhet të ndodhin a po jo. Na duhen gjyqtarë të drejtë e efikas, dhe prokurorë me integritet e energjik. Përgjigja ndaj defekteve e dështimeve të tilla për drejtësinë është Vettingu”, u shpreh Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takimin e parë të grupit punues për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vettingut.

Ndërsa, shtoi se Vettingu do të sigurojë vlerësimin e mirëfilltë e profesional të integritet të gjyqtarëve e prokurorëve, si dhe do të verifikoj pasurinë e tyre.

Kurti bëri të ditur se krahas Vettingut qeveria ka filluar edhe iniciativa të tjera të reformës në drejtësi.

Në këtë takim, nuk kanë marr pjesë Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Këto dy trupa, më herët kanë shprehur shqetësimin me gjuhën, sipas tyre fyese të Qeverisë ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Në një takim të mëhershëm të këtij grupi punues, përfaqësuesi i KPK-së kishte lëshuar mbledhjen, pasi sipas tij, Qeveria nuk është distancuar nga zv.ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, për deklaratën se “vetë prokurorët janë të involvuar në veprime kriminale”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takimin e parë të grupit punues për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vettingut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore