Kosova

Kurti takon ministrin danez të Drejtësisë: Kosova mbështetet në parimet e sundimit të ligjit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ministrin e Drejtësisë së Danimarkës, Peter Hummelgaard, si dhe me anëtarët e Komisionit Parlamentar danez për Legjislacion.

Siç njofton zyra e kryeministrit, të pranishmit janë njoftuar “me të arriturat e Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme, të evidentuara edhe nga organizatat ndërkombëtare prestigjioze si Freedom House, World Justice Project e Transparency International”.

“Kryeministri Kurti potencoi që Qeveria e Republikës së Kosovës mbështetet në parimet e sundimit të ligjit, pluralizmit politik e të drejtave të njeriut, si vlerave thelbësore të një shoqërie demokratike”.

Gjithashtu, në njoftim thuhet se në këtë takim, nga palët është nënvizuar rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fushën e drejtësisë, përfshirë këtu edhe zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e tregtisë dhe investimeve direkte.

Po ashtu, Kurti ka falënderuar ministrin Hummelgaard dhe anëtarët e pranishëm të Parlamentit danez për mbështetjen e Mbretërisë së Danimarkës ndaj Kosovës në rrugëtimin e saj euro-atlantik.

Ndërsa, bëhet me dije se kryeministri kosovar ka qenë i shoqëruar nga zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu si dhe ambasadori i Kosovës në Danimarkë, Faruk Ajeti.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës kishin nënshkruar marrëveshje dhe deklaratë të përbashkët si zotim i të dy qeverive për marrjen me qira të qelive të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan.

Në tetor të vitit 2020, institucionet Korrektuese të Kosovës filluan një bashkëpunim me institucionet korrektuese të Danimarkës.

Gjatë vizitës dy ditore në muajin tetor të vitit 2021 përfaqësues të këtyre dy institucioneve kishin diskutuar për mundësinë e bashkëpunimit rreth të burgosurve nga Danimarka në Kosovë, përveç temave të tjera në interes të të dyja vendeve siç janë trajnimet, shkëmbimi i përvojave e praktikave të të dyja institucioneve të cilat do të kontribuonin në ngritjen e kapaciteteve të SHKK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore