Kosova

Kurti shpjegon pajtimin e arritur me Lajçak-un, shpreson se konstruktiviteti i treguar largon masat ndëshkuese të BE-së


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 151-të të Qeverisë së Kosovës, ka prezantuar para ministrave arritjen e dakordimit në mes të zëvendësit të tij, Besnik Bislimit dhe të deleguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, për reduktimin e trupave të Policisë së Kosovës brenda e në afërsi të ndërtesave komunale, ku qëndronin deri më tani, si hapi i parë për de-eskalimin e situatës së tensionuar në Veri të Kosovës.

Reduktimi, sipas Kurtit do të bëhet menjëherë meqë, siç ka argumentuar ai për shkak se qe “dy javë situata e ndërtesave komunale është krahasimisht shumë më e qetë”.

“Qeveria e Kosovës e shpallë publikisht gatishmërinë e saj për të punuar në drejtim të de-eskalimit të situatës dhe për të mos ndërmarrë hapa që mund ta eskalojnë situatën në Veri të vendit tonë. Kjo gjë nënkupton edhe reduktimin e menjëhershëm të 1/4 të policëve që gjenden brenda ndërtesave komunale apo në afërsi të tyre”, tha ai.

Shefi i Qeverisë së Kosovës përmendi edhe pikat e tjera të dakordësimit për të shtensionuar situatën në Veri, ndër të cilat atë për vlerësime të përbashkëta me EULEX-in dhe KFOR-in për mundësinë e zvogëlimit të mëtejshëm të pranisë policore në Veri.

“Kjo ishte kërkesë e jona që nga fillimi”, shtoi ai.

Ai përmendi edhe deklaratën që duhet ta bëjë Qeveria për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Veri “pas stinës së verës”.

Kurti foli edhe për pikën e fundit të dakordimit në Bratisllavë, e cila ka të bëjë me ftesën që BE-ja do të dërgojë dy kryenogociatorëve për një takim që do të finalizojë planin e sekuencimit të implementimit të Marrëveshjes së dakordësuar fillimisht në Bruksel më 27 shkurt e më pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars.

“Pas finalizimit të planit të sekuencimit do të fillojë menjëherë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes”, tha Kurti ndër të tjera në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Pasi lexoi pikat e dakordësimit me të cilën u pajtua Kosova Kurti kujtoi se është Serbia ajo që nuk e ka pranuar që ka marrëveshje ligjërisht të obligueshme me Kosovën dhe se BE-ja i ka bërë të pabarabarta palët kur e ka sanksionuar Kosovën.

Prandaj ai ka shprehur optimizmin se pret që marrëveshja që Qeveria ka arritur me BE-në për hapat për shtensionim të situatës në Veri të Kosovës, të ndikojnë që Kosovës t’i hiqen sanksionet e që palët në dialog të jenë të barabarta.

“Unë kam nënvizuar në vazhdimësi që për suksesin e marrëveshjes bazike së pari të dy palët duhet ta pranojë se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme. Së dyti, që marrëveshja duhet të zbatohet në plotni. Së treti, që zbatimi i marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet. Së katërti, që të dyja palët duhet të kenë mundësinë që të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e BE-së. Si përfundim, mendoj që dakordimi i Bratisllavës do të ndihmojë shumë në përforcimin e fokusit dhe vendosjen e barazisë midis palëve që ndihmon zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj”, ka thënë Kurti.

BE-ja ka vendosur masa ndaj Kosovës në fund të qershorit, pas përkeqësimit të situatës në Veri të Kosovës dhe mos-gatishmërisë së Qeverisë për të shtensionuar situatën në këtë pjesë të vendit sipas kërkesave të Unioni.

Sanksionet përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së komisioneve të përbashkëta në mes të BE-së dhe Kosovës, të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim- Asocimit, mos-dërgimi i ftesave zyrtarëve të Kosovës për takime të nivelit të lartë, suspendimi i vizitave bilaterale, me përjashtim të atyre që kanë për qëllim fokusimin në adresimin e krizës në Veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore