Lajme

Kurti: Për mua, çfarë ndodhi në Ohër është marrëveshje


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi mori pjesë në konferencën e dytë nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale, është pyetur nga gazetarët edhe për takimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ai ka deklaruar para gazetarëve se për të ajo çfarë ndodhi në Ohër ishte marrëveshje.

“Zbatimi i kësaj marrëveshje duhet të fillonte qysh dje, për shkak se edhe plani i zbatimit thotë se ka një afat se kur duhet të fillojë marrëveshja së zbatuari. Edhe marrëveshja bazë edhe plani i zbatimit tashmë i kemi të dakorduara. Për neve kjo është marrëveshje”, ka thënë Kurti.

“Jam i vetmi në këto takime të Brukselit në të cilat bëj propozime”.

Teksa, ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të marrin masa ndaj sjelljes së Serbisë.

Foto nga agjencia e lajmeve Ekonomia Online.

“Por unë pres nga faktori ndërkombëtar që ta dënojnë e gjykojnë sjelljen e Serbisë e cila kur mbahen takimet thotë se nuk nënshkruaj e ndërmjet takimeve thotë se nuk zbatoj gjë”.

Ndër të tjera, Kurti është pyetur edhe për nenin 7 të planit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në të cilën përmendet vetmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë.

Ai për këtë ka thënë se, “është formulim i cili i përket në mënyrë shumë besnike dhe të saktë Konventës Kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare, sipas Këshillit të Evropës”.

Sa i përket ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend ai ka thënë se fillimisht marrëveshja duhet të nënshkruhet mes “palëve kontraktuese”.

“Unë besoj që edhe në Kuvend kjo do të duhej të diskutohet, mirëpo duhet ta kemi parasysh që ne kot nënshkruajmë se ne marrëveshje vetmeveti nuk mund të bëjmë. Marrëveshja do të duhet të bëhet me palën tjetër”.

Sipas kryeministrit, të gjitha pyetjet aktualisht duhet të jenë për Beogradin e jo për Kosovën.

“Tash nuk do të duhej topi të ishte tek Kosova dhe kërkoj kontributin e të gjithëve. Topi është në anën e Serbisë, përse nuk po nënshkruan ajo? Në vend se të diskutojmë se përse nuk po nënshkruan Serbia, pyesin se kur do ta themelosh Asociacionin. Andaj është e rëndësishme që t’i qëndrojmë besnikë interesave të Kosovës, të gjitha pyetjet duhet të jenë në Beograd tash”.

Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat.

Në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore