Lajme

Kurti në Sllovaki: Më shumë na ofendon mospranimi i krimeve nga Serbia, se mosnjohja e shtetit


Albin Kurti në panelin “Tani ose kurrë – Duke zhbllokuar të ardhmen evropiane për Ballkanin Perëndimor” në kuadër të forumit GLOBSEC në Sllovaki

Sipas Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Kosova është pala konstruktiv në procesin e dialogut, e cila është për një dialog parimor midis palëve të barabarta dhe për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme e përqendruar në njohjen reciproke.

Por, fatkeqësisht sipas tij Serbia është pala që përveç jo-konstruktivitetit të saj në raport me bisedimet, thotë se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës asnjëherë. Dhe sipas tij thelbi i problemit gjithë në këtë mes është mohimi i krimeve të luftës dhe gjenocidit.

“Në procesin e dialogut kam qenë i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ. Fatkeqësisht Serbia po thotë se nuk do të na njohin kurrë dhe përtej kësaj as nuk i marrin parasysh dhe nuk i njohin krimet e kryera në të kaluarën, që të jem i sinqertë kjo e dyta na ofendon më shumë se ajo e para”, ka thënë Kurti gjatë një panel diskutimi në kuadër të forumit GLOBSEC në Sllovaki.

Kurti, duke argumentuar se pse nuk ka pranuar ftesën e kryeministrit maqedonas për të participuar në nismën e Ballkanit të Hapur që pritet të mbahet më 7 dhe 8 qershor në Ohër, ka potencuar faktin se Ballkani Perëndimor sipas tij duhet të jetë i hapur për Bashkimin Evropian dhe për NATO-n, e assesi i ekspozuar ndaj ndonjë shteti veri-lindor.

“Kosova mbështetet shumë tek Procesi i Berlinit 2.0, po e quaj kështu pasi është një nisëm i freskët nga kancelari gjerman, Olaf Scholz. As orientimi politik as ndjeshmëria politike nuk më le të besojë atij grupi politikanësh që besojnë te vetëmjaftueshmëria e Ballkanit Perëndimor”, ka shtuar ai.

Për Kurtin, marrëveshja e Uashingtonit ka qenë një marrëveshje e ngutshme që sipas tij nuk ka dalë edhe aq mirë.

“Kemi pasur një qeveri të kaluar që ka kërkuar një marrëveshje të shpejtë një rregullim të shpejtë që nuk ka dalë edhe aq mirë, ajo që po theksojë megjithatë është të mos favorizohet stabiliteti politik kundrejt reformave demokratike, SHBA-të dhe BE-ja mund të bashkëpunojnë në këtë kuptim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore