Lajme

Kurti: Miliardat e BE-së për Ballkanin të lidhen me vlerat


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Fondet e Bashkimit Evropian për të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë të ndërlidhura me vlerat e BE-së, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në margjina të Samitit të Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë, kryeministri Kurti ka dhënë intervistë për mediumin amerikan “Bloomberg”.

“Miliardat e BE-së për Ballkanin Perëndimor duhet të ndërlidhen me vlerat e BE-së”, ka thënë Kurti.

BE duhet të ndërlidhë ndarjen e mjeteve financiare të cilat i ka të rezervuara për gjashtë vendet e Ballkanit, e të cilat shpresojnë t`i bashkohen bllokut, me të dhënat e tyre mbi sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

Kurti ka bërë thirrje BE-së për më shumë mbikëqyrje në rajonin e Ballkanit. Sipas tij, ky rajon është gjithnjë e më shumë i pakënaqur me ngurrimin e BE-së për të përshpejtuar procesin e pranimit të anëtarëve të rinj.

Ngurrimet e bllokut sipas Kurtit përkojnë edhe me konfrontimin mes Komisionit Evropian dhe anëtarëve të tij  – Polonisë dhe Hungarisë, të cilat rrezikojnë të humbasin ndihmën financiare në vlerë të miliarda eurove, pikërisht për shkak të ngecjes në demokraci dhe shkeljeve të vazhdueshme të sundimit të ligjit.

“Nuk duhet të ketë fonde të BE-së, pa vlera të BE-së”, ka thënë ai në intervistën për “Bloomberg”.

“BE-ja nuk duhet të heq dorë nga natyra e saj transformuese, për atë transaksionale”, ka thënë Kurti.

Pavarësisht se Komisioni ka aprovuar 30 miliardë euro (35 miliardë $) për shtetet e Ballkanit Perëndimor, që do shpenzohen përgjatë shtatë viteve të ardhshme, nuk ka caktuar një datë të saktë për zgjerimin, gjë që kërkohej nga shtetet aspiruese por edhe nga disa shtete anëtare.

Shqetësuese mbetet qasja e ngadalshme ndaj zgjerimit të BE-së sepse kjo mund të hap rrugën për rivalët brenda bllokut, përfshirë këtu Serbinë e cila ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën.

Ndonëse e kupton një masë hezitimi të shteteve anëtare për zgjerimin e mëtejshëm të bllokut për shkak të mosmarrëveshjeve dhe përplasjeve sa i përket vlerave demokratike të anëtarëve që u pranuan më herët gjatë këtij shekulli, ai paralajmëron kundër përhapjes së këtij hidhërimi në procesin e zgjerimit, ka thënë Kurti.

“Mendoj se është mirë që BE-ja të kthehet tek esenca e vetë–që është zgjerimi”.

Kryeministri Kurti në Samitin e Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë

“Dhe kurdo që thuhet zgjerim i BE-së, së pari dhe para së gjithash është Ballkani Perëndimor, me të cilin BE-ja arrin harmoninë e vetë si kontinent”, thuhet të ketë thënë Kurti gjatë intervistë për mediumin amerikane “Bloomberg”,  thuhet në njoftimin e zyrës së Kryeministrit.

Ndërsa, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka thënë se është shumë e rëndësishme që këtyre shteteve t’ju bëhet e qartë se sa shumë kujdesemi për ta.

“Ne jemi partneri i preferuar i tyre”, ka thënë ajo të mërkurën gazetarëve në Bërdo të Sllovenisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore