Lajme

Kurti: Masakra e Abrisë, është më çnjerëzorja që Serbia ka kryer mbi shqiptarët e Kosovës


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka kujtuar 24 vjetorin e masakrës në fshatin Abri e Epërme të Drenasit, ku u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka kujtuar të gjithë emrat që u vranë nga forcat e Serbisë.

“Sot bëhen 24 vjet prej kur më 26 shtator 1998, forcat serbe vranë dhe masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në fshatin Abri e Epërme të Drenasit. Mjafton të shihen moshat kufitare të viktimave të masakrës së Abrisë, nga më i moshuari Fazli Deliu 94 vjeç deri te më e vogla Diturije Deliu 6 javëshe, për të kuptuar se sa totale dhe çnjerëzore ishte kjo masakër që kryen forcat serbe mbi këta 23 civilë shqiptarë të pafajshëm”, ka shkruar kryeministri.

Teksa ka theksuar se ky përvjetor kujtohet edhe me familjarë të gjallë.

“Çdo vit më 26 shtator, në përvjetorët e masakrës së Abrisë, kujtohem që 23 të vrarët e kësaj masakre nuk mund të përkujtohen pa Imer Deliun, familjarin e gjallë të tyre që jeton mes nesh. Është ai që na ka rrëfyer me shumë dinjitet atë çfarë ndodhi më 26 shtator 1998, ashtu siç ai i pa kur i gjeti kufomat e familjarëve dhe të afërmeve të tij të masakruar nga trupat serbe”.

“Që nga atëherë, dëshmia e Imer Deliut ka mbetur pa u marrë në shqyrtim nga drejtësia ndërkombëtare dhe ende askush nuk është akuzuar për masakrën e Abrisë”.

Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme, forcat serbe kryen një nga masakrat më të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë.

Foto nga masakra e Abrisë.

Në këtë ditë u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh e deri në 94 vjeçare.

Nga 25 shtatori, familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’i shpëtuar sulmeve shfarosëse serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore