Kosova

Kurti: Kosova merr pjesë vetëm në ato nisma ku trajtohet barabartë, si Procesi i Berlinit


Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës

Kryeministri Albin Kurti thotë se Kosova do të përfshihet në të gjitha ato nisma rajonale ku trajtohet barabartë. Dhe këtë barazi në trajtim si të gjitha shtetet tjera, Kurti tha se ka ofruar vetëm Procesi i Berlinit.

“Gatishmëria dhe interesimi ynë për bashkëpunim rajonal shprehet me mbështetjen tonë për procesin e Berlinit dhe angazhimin tonë në tregun e përbashkët rajonal. Në këtë bashkëpunim ne duam të kemi barazi të palëve e të cilin e gjejmë pikërisht në Procesin e Berlinit. Nuk duam zëvendësim të bashkimit evropian, si do që të quhet ai, qoftë kjo edhe Ballkan i hapur”, u përgjigj Kurti në pyetjet e gazetarëve për mos pjesëmarrjen e Kosovës në samitin e Ohrit për Balkanin e Hapur, pas konferencës për lansimin e platformës elektronike e-Kosova.

Është shteti i Serbisë ai që duhet të hapet ndaj Kosovës ka theksuar ndër të tjera kryeministri Kurti.

“Nuk besojmë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit, Ballkani nuk përbëhet vetëm nga 6 shtete në përgjithësi. Ballkani Perëndimor ende i paintegruar në BE përbehet nga 6 shtete me ç’rast këto s’mund të trajtohen bashkë, sepse kemi shtete që nuk e kanë dënuar dhe s’kanë vënë sanksione ndaj Rusisë”.

“Ka shtete në Ballkanin Perëndimor që janë në anën e Ukrainës, dhe kemi shtete si puna e fqinjit tonë verior që është në anën e federatës ruse dhe presidentit despotik të saj. Për të pasur Ballkan të Hapur, është Serbia ajo që duhet të hapet ndaj Kosovës”, tha Kurti.

“Nëse një qytetar i Kosovës dëshiron të shkojë në Serbi dhe qoftë për të vizituar të afërmit në Preshevë, Medvegj e Bujanoc, apo për të kaluar transit nëpër atë shtet, nuk i pranohet pasaporta, nëse e tregon kartën e identitetit, ajo merret vetëm për t’i thithur të dhënat biometrike”, tha Kurti.

Kryeministri vazhdoi duke thënë se BE-ja është fati i Kosovës, ‘Evropa kontinenti ynë, dhe për këtë jemi të palëkundur’.

“E mbështesim qëndrimin amerikan se s’mund të ketë Ballkan të Hapur të themeluar si iniciativë përderisa s’janë 6 shtete, është mirë një herë të shikohet a janë të 6 shtetet. Të mos e mundojnë as veten e tyre, sepse nëse nuk janë 6 shtetet nuk ka Ballkan të Hapur”, tha kryeministri Kurti.

I pyetur për deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciç, se mund t’i japin Kosovës energji elektrike, në këmbim për thëngjill, Kurti tha se “Presidenti i Serbisë bën mirë që të orientohet në introspeksionin e shoqërisë dhe shtetit atje dhe të heq dorë nga mohimi i masakrës së Reçakut. Përderisa nuk pranojnë Kosovën e pavarur i mohojnë dhe krimet  e Millosheviçit. Serbia ta ketë një vetëkritik që të kemi paqe të qëndrueshme”.

Si lajm të mirë, kryeministri Kurti e përmendi dështimin e vizitës së ministrit të jashtëm të Rusisë, Lavrov, në Beograd, “duke ju falënderuar tre anëtarëve të NATO-s, Bullgarisë, Maqedonisë Veriore dhe Malit të Zi”.

Dhe lajmi i dytë i mirë i theksuar nga kryeministri në këtë takim ishte vizita e kancelarit gjerman Scholz e cila do të ndodhë të premten e 10 qershorit, “për një lloj freskimi për procesin e Berlinit”.

Ndërsa për raportet me Shqipërinë dhe Kryeministrin Edi Rama, Kurti tha se i ka të shkëlqyera.

“Ndërkaq me Shqipërinë kemi marrëdhënie të shkëlqyera dhe pas dy javëve kemi një mbledhje të përbashkët të dy qeverive”.

Duke shtuar se së “kemi dhënë propozimin tonë që Ballkani Perëndimor të jetë bashkë në një iniciativë të llojit CEFTA, sipas modelit EFTA”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore