Lajme

Kurti kërkon kthimin e artefakteve nga Serbia


Katalogu i Ekspozitës Arkeologjike të Muzeut Kombëtar të Kosovës

Të premten është promovuar Katalogu i Ekspozitës Arkeologjike të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Ky katalog është përgatitur nga arkeologët Milot Berisha dhe Arben Hajdari.

Në promovimin e këtij katalogu ka marrë pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai në fjalën e tij ka thënë se edhe pse kanë kaluar 23 vite nga lufta e Kosovës, një pjesë e madhe e artefakteve të Kosovës ende gjenden në Muzeun e Beogradit.

“Ky thesar vazhdon të jetë i paplotë mbase pjesa më e rëndësishme gjenden në muzetë e Beogradit. Ndonëse kanë kaluar 23 vjet një pjesë e jona kulturore vazhdon të qëndrojë në Serbi”.

Ai tutje ka kërkuar që ato artefakte të kthehen nga Serbia në Kosovë dhe se ajo është edhe fajtori kryesor i shkatërrimit të monumenteve kulturore të Kosovës.

“Serbia vazhdonte të shkatërronte monumentet tona. Gjykatësit kanë konstatuar që këto shkatërrime nuk kanë qenë të rastësishme. Kërkesa jonë për drejtësi së shpejti do të marrë formë konkrete. Për kishat shteti ynë ka bërë shumë për restaurimin  tyre”, ka thënë ai.

Sa i përket kishave ortodokse serbe në Kosovë, ai ka thënë se ato i ka riparuar Qeveria e Kosovës dhe se për to përkujdeset në vazhdimësi. Kurti ka deklaruar po ashtu se Qeveria ka marrë  zotimin dhe ka vullnetin e dijen për të mbrojtur e zhvilluar trashëgiminë kulturore në vend.

“Trashëgimia është ndër burimet më të fuqishme. Ajo fuqizon lidhjen tonë me historinë dhe nxitë përgjegjësinë ndaj gjeneratave pas nesh”, ka thënë ai.

Ekspozita arkeologjike e periudhës së Dardanisë antike për Kurtin është një thesar i lartë për vendin.

“Sot po promovojmë një pjesë të rëndësishme. Ajo si e tillë ka vlera të çmueshme. Ekspozita arkeologjike dardania antike paraqet artefakte që datojnë nga epoka e neolitit”.

Ndërsa, Drejtori i Muzeut të Kosovës, Ajet Leci ka deklaruar se katalogu arkeologjik ka rëndësi të madhe për historinë e Kosovës. Ai ka thënë tutje se janë 1247 eksponate që janë marrë nga regjimi serb nga Muzeu dhe ende nuk janë kthyer.

“Kemi eksponate që janë marrë nga pushtuesi serb dhe nuk janë kthyer në muze. Duke u bazuar në dokumente muzeu u ka bërë kërkesë institucioneve në Beograd t’i kthejnë të gjitha eksponatet e të cilat janë 1247 eksponate”, ka thënë Leci.

Ndërsa autori i katalogut profesori i arkeologjisë Arben Hajdari ka thënë se së bashku me kolegun e tij arkeologun, Milot Berisha nuk kanë bërë as më shumë e as më pak se sa një paraqitje reale të vlerave që kanë ato eksponate.

“Ne synojmë të ofrojmë narracion të vlerave që përfaqësojnë këto eksponate. Sikundër që do të krijojmë një pranomë që ka kaluar Kosova”, ka thënë Hajdari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore