Kosova

Kurti: Është reciprocitet, s’është provokim


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti, ka folur për takimin e të martës me ambasadorët e QUINT-it i cili erdhi pas tensioneve në veri që u nxitën nga vendimi i qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit për targat.

Përmes një shkrimi në Twitter, Kurti për vendimin është shprehur se i njëjti nuk është provokim e as diskriminim, por sipas tij është masë reciproke.

“Ky s’është provokim, as s’është diskriminim. Është masë reciproke, edhe Kosova edhe Serbia janë të dyja ose gabim ose drejt”, ka shkruar Kurti.

Kurti deklaroi se targat duhet të hiqen nga të dy palët, ose të mbahen nga të dy palët.

“Ose i mbajmë targat të dy shtetet, ose i heqim të dyja. Liria e lëvizjes është e drejtë dhe nuk do të shkelet nga Kosova”.

Po ashtu, ai tha është takuar me ambasadorët e QUINT-it për të informuar se pas vendimit nuk është shënuar asnjë incident dhe se policia janë në veri për të mbajtur rendin dhe qetësinë.

“U takuam me ambasadorët e QUINT-it për vendimin e djeshëm për targat e makinave që hyjnë në Kosovë. I informova se asnjë incident nuk ka ndodhur dhe se policia janë aty për të mbajtur rendin dhe qetësinë”.

Ambasadorët dhe Kryeministri Kurti, gjatë takimit janë pajtuar që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë e situata duhet të de-eskalojë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla në takim me ambasadorët e QUINT-it.

Ndërkaq, vendimi i ditës së hënë i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, ka bërë që shteti i Serbisë të vazhdojë me provokime.

Që nga orët e hershme të mëngjesit të së hënës, Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Speciale Operative është vendosur në pikë kalimin e vjetër kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje të komunës së Leposaviçit, për të filluar reciprocitetin e targave.

Të gjitha veturat që deri më tani kanë pasur targa të Serbisë, duhet t’i zëvendësojnë ato me “RKS”, targa të Republikës së Kosovës”, nëse duan të qarkullojnë brenda vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore