Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se mungesa e drejtësisë për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit të kaluar, është në dëm të paqes, jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin.
Këto komente, Osmani i ka bërë gjatë një takimi që ka pasur me të Ngarkuarën me Punë të misionit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, të shtunën.
“Pothuajse një vit pas aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, Presidentja Osmani theksoi se mungesa e llogaridhënies dhe drejtësisë për personat përgjegjës është në dëm të paqes e sigurisë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon,” thuhet në njoftimin e presidencës.
E para e vendit ka potencuar se ekzistimi i strukturave ilegale në Veri “e mban peng integrimin e plotë të komunitetit serb” dhe se luftimi i strukturave ilegale është në dobi të vetë qytetarëve në atë pjesë dhe të sundimit të ligjit.
Përveç kësaj, Osmani me Prattipati-n ka folur edhe për zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në zhvillimet e sigurisë, si dhe tema të tjera të interesit të përbashkët.
“Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e bashkërendimit me partnerët e Republikës me qëllim të suksesit të qëndrueshëm në përmbushjen e objektivave të përbashkëta,” theksohet në njoftimin për media.
Çka kishte ndodhur në Banjë?
Në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit të vitit të kaluar, një grup terroristësh serbë, të prirë nga kryekrimenli Milan Radojiçiç, kishin sulmuar Policinë e Kosovës në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe.
Nga ky sulm, kishte mbetur i vrarë rreshteri, tanimë i shpallur hero nga institucionet kosovare, Afrim Bunjaku.
Kosova, për këtë sulm, e kishte akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa, duke qenë se terroristët, posaçërisht kreu i tyre Radojiçiç ka lidhje të ngushta dhe është njeri i besuar i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar fare nga ky akt terrorist, madje ka shpallur ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.
Ndërsa, bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, e kanë dënuar njëzëri në termat më të ashpër këtë akt, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.