Forcë dhe karakter, Shqipëria fiton me përmbysje ndaj Ukrainës
SHFLETO
Romario Ismailaj
07.09.2024 22:46
Loading Icons...
Shqipëria ka arritur të fitojë me përmbysje ndaj Ukrainës, 2-1, në ndeshjen e parë të Nations League 2024-25.
Kuqezinjtë udhëtuan drejt Pragës për t’u përballur me Ukrainën dhe dolën triumfues, në një ndeshje që treguan shumë karakter.
Shqipëria dhe trajneri Sylvinho e kanë nisur në mënyrën më të mirë të mundshme bashkëpunimin e dytë mes tyre, atë pas Euro 2024.
Ky është takimi i parë që kuqezinjtë fitojnë përballë ukrainasve. Në gjashtë takimet e mëparshme, Ukraina kishte fituar në pesë raste dhe një tjetër kishte përfunduar në barazim.
Pas një pjese të parë me disa raste të pashfrytëzuara mirë nga kuqezinjtë dhe me një rast të artë të shpërdoruar nga vendasit, pjesa e dytë do të ishte krejtësisht ndryshe.
Pas një pakujdesie në prapavijën kuqezi, ukrainasit shfrytëzuan mundësitë për të dërguar topin në rrjetë dhe të marrin avantazhin në ndeshje.
Në minutën e 49, Konoplia i pa mbuluar nga mbrojtja kuqezi arriti të kalonte Thomas Strakoshën.
Por, vetëm pesë minuta më vonë, pas një gjuajtje nga këndi dhe një rrëmuje që pasoi në zonën vendase, Ardian Ismajli realizoi për 1-1.
Kuqezinjtë morën avantazhin për herë të parë në ndeshje falë një aksioni model, i cili u konkretizua nga Asani në minutën e 66.
Në përfundim të takimit, lojtari me performancën më të mirë u vlerësua Ismajli (nota 8.3 nga Sofascore). Qendërmbrojtësi luajti ndeshjen të plotë, realizoi gol, bëri tetë pastrime dhe pesë bllokime, pati 50 prekje të topit dhe një saktësi pasimesh prej 91%.
Me fitoren e arritur, Shqipëria shkon në kuotën e 3 pikëve, po aq sa edhe Gjeorgjia, e cila më herët mundi 4-1 Çekinë.
Takimi i radhës për kuqezinjtë do të jetë pikërisht përballë gjeorgjianëve, të martën, më 10 shtator, ora 20:45, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Gjatë pjesës së dytë, Sylvinho bëri dy ndërrime. Në minutën e 73, Laçi i la vendin Medon Berishës. Ndërsa, katër minuta më vonë, Arbër Hoxha u fut në fushë në vend të Bajramit.
Kujtojmë se Shqipëria ishte pa sulmuesin Armando Broja, kapitenin me 61 ndeshje Berat Gjimshiti dhe portieri rezervë Elhan Kastrati për shkak të dëmtimeve.
Prononcimet pas ndeshjes
Pas ndeshjes, Ismajli u shpreh: “E kemi ditur që (Ukraina) është skuadër shumë e fortë fizikisht, nuk ka shumë dallim nga Çekia. Por me një taktikë të jashtëzakonshme dhe luftë të paparë, duke ndihmuar njëri-tjetrin. Besoj që e kemi merituar këtë fitore, mendoj se është speciale se hera e parë që mundim Ukrainën”.
“E rëndësishme ishte të dalim me tre pikë në një transfertë të vështirë. Tani mbetet të rikuperojmë dhe të martën të mendojmë për një ndeshje si Gjeorgjia që ka bërë ndeshje të madhe kundër Çekisë”.
“Këtë gol e fitoreje ia kushtoj familjes që ka vuajtur shumë, do i bëjmë krenarë të gjithë shqiptarët dhe familje time”, theksoi mbrojtësi kuqezi.
Më pas, ishte radha e Kristjan Asllanit për të folur rreth ndeshjes. Mesfushori i Inter-it tha: “Kjo është një fitore jashtë shtëpisë me një ekip që shumë mirë futbolli. Kishim shumë pa një fitore. Jemi të lumtur e të shohim para se kemi një ndeshje të vështirë të marten”.
“Na ndihmon shumë kjo fitore se ishte ndeshja e parë dhe kur e nis mirë jemi një hap para. E dinim që ishte e vështirë, por provuam të bënim futbollin tonë. Mund të bënim më shumë me topin por morëm tre pikë dhe nuk ra shumë në sy”.
“Jemi shumë të lumtur se edhe brenda e menduam pak dhe kishim që me Çekinë që nuk fitonim, na duhej dhe jemi të lumtur”, vijoi Asllani.