Lajme

Kurti e Sela bisedojnë për dialogun dhe iniciativën “Ballkani i Hapur”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, me të cilin ka biseduar për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Kryeministri ritheksoi se duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve, si rruga e vetme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Në takim është biseduar edhe për menaxhimin e pandemisë në të dy vendet, trendin e vaksinimit dhe mundësinë e lehtësimit të masave.

Kurti ka folur edhe stabilitetin institucional, progresin dhe reformat e nisura të qeverisë në fusha të ndryshme.

Ndërkaq Sela theksoi nevojën për komunikim ndërshqiptar dhe bashkërendim të veprimeve politike përballë zhvillimeve rajonale.

“Lidhur me nismat si Ballkani i Hapur, Sela tha se “asnjë iniciativë e tillë nuk ka kuptim për sa kohë që nuk vendoset edhe mozaiku i fundit i rajonit të Ballkanit, e që është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Ndryshe kjo do të kishte efekt shumë të dëmshëm për shtetësinë e Kosovës dhe në përgjithësi për shqiptarët”.

Sela është takuar paraprakisht edhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në takim temë kryesore ishin zhvillimet politike në Kosovë dhe në rajon.

Po ashtu, u diskutua edhe për sfidat e ndikimit rus dhe serb ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon.

Zyra e Presidencës, përmes një komunikate zyrtare, thotë se Vjosa Osmani theksoi se perspektiva e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është anëtarësimi në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore