Lajme

Kurti e Haxhiu bëjnë homazhe te memoriali Heroinat


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena haxhiu, në homazhe te memoriali Heroinat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe te memoriali Heroinat në Prishtinë, në nderim të viktimave të të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë luftës së Fundit në Kosovë.

“Kryeministri Kurti përkujtoi viktimat e dhunës seksuale, të cilat nuk janë më në mesin tonë, si dhe nderoi të mbijetuarat e të mbijetuarit për forcën e tyre të pashembullt”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Kryeministri Kurti, së bashku me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe disa ministra të kabinetit qeveritar “vendosi lule para memorialit, i cili përkujton mijëra gra dhe vajza, burra dhe djem, viktima e të mbijetuar të dhunës seksuale, që është përdorur si armë lufte nga forcat e okupatorit serb në luftën e fundit në Kosovë”.

Në homazhe morën pjesë edhe shumë ministra të tjerë të kabinetit.

Në mbledhjen e 138-të, të mbajtur më 12 prill të këtij viti, Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkërendim me Presidenten e Republikës së Kosovës, ka shpallur datën 14 prill si Ditë Memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

LDK: Të rikthejmë vëmendjen në tregimet e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale në Kosovë

“Diskursi publik pas përfundimit të luftës ka qenë i heshtur në rikthimin e vëmendjes ndaj tregimeve të grave”, shkruan në komunikatën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në përkujtim të të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, këtë 14 prill.

Dhuna seksuale në Kosovë ishte një nga aktet kriminale serbe në pjesë e një sërë akteve kriminale serbe të kryera në kontekstin e një agresioni masiv, dhe si i tillë mbetet një plagë e thellë për shoqërinë kosovare.

“Derisa, kufizimi ynë shoqëror në definimin se dhuna seksuale është mjet lufte, është padrejtësia e radhës që mund t`i bëhet të mbijetuarave”.

“Ndonëse më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë, rrëfimet e grave që kanë përjetuar dhunimin ende mbeten të pa treguara dhe të heshtura në historinë e tyre plot dhimbje”.

“Përkundër, që është bërë një hap drejt njohjes së statusit të tyre, gratë e mbijetuara të dhunës seksuale vazhdojnë të ballafaqohen me stigmën e mos integrimin e tyre në shoqërinë tonë”.

“Guximi i disa të mbijetuarave për të ndarë historinë e tyre të përjetuar, kanë thyer heshtjen dhe kanë ndihmuar në emërimin e tragjedisë së tyre e si rezultat, thyerjen e heshtjes e trasimin e rrugës për drejtësinë e 20.000 mijë grave të tjera”.

Sipas LDK-së, ballafaqimi me të kaluarën asnjëherë nuk mund të jetë i drejtë, pa drejtësinë shoqërore ndaj kategorisë së të mbijetuarave.

“Prandaj, është përgjegjësi shoqërore dhe institucionale që kjo kategori shoqërore të mos përbuzet. Kujdesi për mirëqenien, rehabilitimin dhe risocializimin e tyre në jetën private e publike mbetet obligimi i LDK-së”.

Për herë të parë në Kosovë, 14 prilli i këtij viti do t’i kushtohet një të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit.

Me propozim të presidentes Osmani, Qeveria e Kosovës para dy dite e caktoi datën e sotme si ditë që do t’i dedikohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.

“Presidentja Osmani ka theksuar se ky vendim do t’i kontribuojë ruajtjes së memories kolektive, ndërsa ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidencës më 12 prill.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore