Lajme

Kurti bën homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti gjatë homazheve në Kompleksin e Jasharajve në Prekaz

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe nga disa deputetë të pozitës ka bërë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, me rastin e shënimit të 24 vjetorit të sulmit të dytë ndaj familjes Jashari nga forcat serbe, ku ka thënë se Kulla e Jasharajve është një margaritarë i historisë tonë të lavdishme.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

“Sot me rastin e 24 vjetorit të sulmit mbi Jasharajt në 22 janarin e 1998, erdhëm që të bëjmë homazhe tek varret e tyre dhe njëkohësisht më pas të shikojmë se si janë duke u bërë ndërhyrjet emergjente në Kullën e Jasharajve, si janë duke u bërë ato shtrëngimet fillestare në mënyrë që kjo ndërtesë të mos degradohet dhe të mbrohet’, ka thënë Kurti për media.

“Para se të ndodhte epopeja e UÇK-së ka pasur sulme mbi këtë Kullë, madje sulmi i parë është qysh në vitin 1991, pra para më shumë se 30 viteve”.

Ai ka shtuar tutje se është obligim institucional, kombëtarë e shoqëror që “këtë objek të historisë së veçantë të Kosovës dhe kombit shqiptarë në përgjithësi, ta mirëmbajmë sepse është një margaritarë i historisë tonë të lavdishme e njëkohësisht edhe e dhimbshme”, ka përfunduar Kurti.

Pas homazheve kryeministri Kurti dhe kabineti do të vizitojnë kullat ku do të takohet edhe Familja Jashari.

Ai do të vizitoj shtëpinë e Hamit e Salë Jasharit, ku do të shoh nga afër ndërhyrjet emergjente në këtë shtëpi.

 

Sulmi mbi Jasahrajt më 22 janarit të vitit 1998

Në mëngjesin e hershëm të 22 janarit të vitit 1998, njësitë policore serbe të regjimit të Sllobodan Millosheviçit kishin filluar një operacion kundër familjes së Adem Jasharit në Prekaz të Skenderajt.

Ky sulm nuk ishte sulmi i parë mbi familjen Jashari. Por, as i fundit, mirëpo data 22 janar njihet si rrethimi i dytë i forcave okupuese mbi familjen Jashari.

Policia serbi kishte sulmuar shtëpitë e Jasharajve, për disa orë rresht, ndërsa Jasharajt iu kishin kundërvë po me të njëjtën “gjuhë” forcave të regjimit të Millosheviçit, duke i detyruar të zmbrapsen.

Gjatë sulmit, ishin plagosur Selvete Jashari, vajza e Hamzës dhe Ilirjana Jashari, vajza e Rifatit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore