Lajme

Kurti arsyeton rritjen e të hyrave doganore dhe të ATK-së: “Qytetarët po shpenzojnë pasi që kanë çka të shpenzojnë”


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për rritjen e çmimeve në vend, është mburrur me faktin se qytetarët në Kosovë po shpenzojnë sepse kanë të ardhura për të shpenzuar.

“Njerëzit shpenzojnë vetëm sepse kanë çka të shpenzojnë, pra nuk është e mundur të shpenzosh nëse nuk ke çka të shpenzosh. Ka një arsye tjetër pse njerëzit shpenzojnë, jo vetëm pse thjesht kanë, por njerëzit shpenzojnë kur besojnë se do të vazhdojnë të kenë, përndryshe nuk shpenzojnë”, ka thënë Kurti.

Kështu Kryeqeveritari Kurti ka arsyetuar faktin se pse të hyrat doganore edhe ato të administratës tatimore janë rritur.

Ai madje ka bërë të ditur se modeli i zhvillimit ekonomik që Kosova synon është ajo e shteteve të Zvicrës e të Gjermanisë, mirëpo modeli i këtyre shteteve sipas Kurtit nuk e ngrit Kosovën automatikisht në nivelin e tyre zhvillimor.

“Modeli dhe niveli janë dy gjëra të ndryshme. Unë e dua modelin Gjerman e Zviceran që e kemi mësuar nga bashkëatdhetarët tanë se si ruhet e duhet shtetit, se si punohet e fitohet sipas meritës, mirëpo përkundër modelit të tyre, niveli i tyre nuk do të ngjajë së shpejti”, tha Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore