Lajme

Kurti ankohet, “po më kërcënojnë çdo javë”


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pjesëtarë të dy organizatave që operojnë në Veriun e Kosovës – që së fundmi janë shpallur terroriste nga qeveria – “Mbrojtja Civile” e “Brigada e Veriut”, po e kërcënojnë atë dhe ministrat e tij “çdo javë”.

Këto komente ai i bëri në një intervistë për rrjetin gjerman të lajmeve “Deutsche Welle”, teksa foli për integrimin e serbëve, ku theksoi se problemin nuk është tek serbët që jetojnë në Kosovë, por tek “strukturat e caktuara”.

Serbët lokalë – që janë shumicë në pjesën Veriore të Kosovës – kishin qenë mjaft të ashpër në kundërshtimet e tyre për vendimin e qeverisë që katër kryetarët e zgjedhur shqiptarë të komunave Veriore të instaloheshin në zyrat e tyre.

Madje, ata kishin sulmuar edhe ushtarët e KFOR-it, duke lënë të lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Dhunën, sipas Kurtit, “nuk janë duke e bërë qytetarët, dhunën janë duke e bërë struktura të caktuara të cilët imitojnë grupin [mercenar rus] Wagner”.

“Pra problemin e kemi me struktura të caktuara e jo me qytetarët”, pohoi, duke shtuar se “serbët sot kanë nevojë që të mbrohen nga Serbia”.

Për ta ilustruar këtë, kreu i ekzekutivit kosovar përmendi djegien e 15 veturave të serbëve gjatë këtij viti, për shkak se të njëjtit i kishin shndërruar targat në ato të Kosovës.

“Nga kush ti mbrojmë ata, ata duhet të mbrohen nga Beogradi”.

Ndërkaq, kryeministri Kurti deklaroi se vendi që ai udhëheqë është “shtet demokratik”, ndërsa “Serbia është shtet autokratik”.

“Kosova është me BE-ne dhe NATO-n ndërsa Serbia është me Rusinë”.

Sipas tij, aktualisht, në Ballkan, nacionalizmi nuk është në përmasat që ka qenë më herët.

“Nacionalizmi i masave si lëndë djegëse për makinerinë e luftës së diktatorëve që ka ekzistuar para 30 vjetëve në Ballkan, nuk është më këtu në mesin tonë”.

Këto deklarata Kurti i bëri në prag të takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, që pritet të mbahet në Bruksel më 14 shtator.

Të enjten, Brukseli do të pres Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilët kanë katër muaj pa u takuar.

Kurti dhe Vuçiç do të takohen me ndërmjetësimin e BE-së.

Ky takim i dy liderëve të shteteve përkatëse vjen pas diskutimeve që Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i ka pasur me secilin prej tyre, veçmas.

Pas pushimeve të verës, diplomatët amerikano-evropianë kanë shtuar përpjekjet e tyre më të fuqishme diplomatike për të zgjidhur problemin në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Dy vendet fqinje kishin nënshkruar një marrëveshje fillimisht në Bruksel më 27 shkurt, dhe e përforcuar me aneks më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ngjarjet e krijuara në Veriun e Kosovës që nga 26 maji kanë lënë në hije zbatimin e saj.

Prandaj edhe përpjekjet e vendeve perëndimore janë në këtë kontekst; që të zbatohet ajo që është nënshkruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore