Lajme

Kur mesazhin “anti-nazist” rus në Twitter, e ironizojnë “ekspertët e nazizmit” (gjermanët)


Replika thumbuese mes dy selive diplomatike në Afrikën e Jugut, asaj ruse dhe homologëve të tyre gjermanë.

Një mesazh i Ambasadës së Rusisë në Afrikën e Jugut në Twitter, është bërë “mollë sherri” e replikash ironizuese për përfaqësinë diplomatike gjermane në shtetin jugor të kontinentit Afrikan.

“Të nderuar ndjekës, kemi marrë shumë letra solidariteti nga afrikano-jugorët, për luftën që po i bëjmë nazizmit në Ukrainë”, shkruhet në mesazhin e palës ruse.

Kjo gjë duket se i ka ngacmuar gjermanët, të cilët i janë përgjigjur po në të njëjtin postim.

“Na falni, por nuk mund të qëndrojmë në heshtje këtë herë”, e nisin ata replikën satirike. “Është më shumë se cinike. Ajo çfarë Rusia po bën në Ukrainë, është vrasja e fëmijëve, grave dhe burrave të pafajshëm, për qëllime të përfitimit vetjak”.

Më tej, nga pala gjermane, se kjo “nuk do të thotë të luftosh nazizmin”. Ndaj, ata shprehen me indinjatë se është turp, nëse dikush i beson atyre fjalëve që pala ruse shkruan.

Ndërsa, pjesa më ironike e komentit replikues, është pikërisht fjalia e fundit, e futur në kllapa, si për të rënë në sy.

“Fatkeqësisht, jemi pak ekspertë mbi nazizmin”, përmbyllet komenti i palës gjermane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore