Kosova

Kupina mohon se Osmani e ka pajisur me pasaportë diplomatike Valdrin Sahitin


Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka reaguar për akuzat në drejtim të presidentes për pajisjen me pasaportë diplomatike të stilistit të njohur kosovar Valdrin Sahiti

“Presidentja asnjëherë nuk i ka dhënë pasaportë diplomatike askujt, pra as Valdrin Sahitit. Presidentja as nuk e ka rekomanduar nje gjë të tillë. Presidentja nuk ka kompetencë ligjore të japë pasaporta”.

Ndërkaq, ai shtoi se “këto pasaporta janë dhënë nga qeverisja e kaluar”.

“Prandaj shpifjet e shumta të këtyre ditëve Presidenca do t’i trajtojë duke ndërmarrë masa të parapara me ligj ndaj të gjithë atyre që kanë shpifur”.

Stilisti i njohur kosovar u bë lajm në media para disa ditëve, pas disa raportimeve se ai ishte arrestuar nga policia e Turqisë, pasi që i ishin gjetur substanca narkotikësh.

Ndryshe, përkundër mohimit nga avokati Besnik Berisha në llogarinë e tij në Facebook dhe një videoje nga Dubai që provon të tregojë vendndodhjen, Albanian Post ka konfirmuar se disenjatori kosovar, Valdrin Sahiti, është ndaluar në Turqi.

Zyra Ndërlidhëse e Policisë së Kosovës ka pranuar një informatë nga autoritetet e sigurisë në Turqi, se Sahiti, është ndaluar për narkotik brenda territorit të Turqisë.

Burime shumë kredibile brenda Policisë së Kosovës, kanë thënë për Albanian Post se para disa dite, kanë pranuar një informatë nga autoritetet turke rreth Sahitit.

Por, në atë njoftim që kanë pranuar autoritetet kosovare nuk është e specifikuar nëse Sahiti aktualisht është në paraburgim apo jo, nuk specifikohet koha e qëndrimit të ndalimit apo ndonjë mase tjetër e sigurisë të cilën mund ta kenë ndërmarrë autoritet turke ndaj tij.

“Po presim nga autoritetet turke dokumentet e kompletuara të rastit në formë zyrtare”, ka thënë burimi.

“Ne e kemi marrë si informatë që ai person është ndaluar për narkotik. Tash, a është dërguar në mbajtje, a është dërguar në paraburgim a jo, apo çka ka ndodhur me të, ne nuk kemi detaje të tjera. Ata kanë procedura të tjera, nuk i kanë si ne në Kosovë”, ka thënë burimi brenda Policisë së Kosovës, për Albanian Post.

“Ata (Turqia) i kanë dërguar informata për emër të tij”, vazhdon më tej burimi.

Valdrin Sahiti u ndalua në Turqi – çështja është sa, kur dhe për çfarë konkretisht?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore