Kosova

Kupchan: Refuzimi i Kurtit për takim me Vuçiç-in jo i dobishëm, Kosova portretizohet si palë kokëforte


Charles Kupchan

Sipas Charles Kupchan, ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është dashur që të refuzojë që të takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel, të mërkurën.

Këto komente, Kupchman i ka bërë në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”, një ditë pas takimeve të ndara që Kurti e Vuçiç zhvilluan në kryeqendrën evropiane, me përfaqësuesit evropianë.

“Ky rund negociatash është sigurisht një bllokim. Fakti që bisedimet vazhdojnë, është një shenjë e mirë, por sigurisht se janë bërë jashtëzakonisht të vështira. Ka pasur shumë pak përparim që nga marrëveshja verbale [për normalizimin e marrëdhënieve], që është bërë e njohur si Marrëveshja e Ohrit”, tha fillimisht Kupchan.

“Nuk është në dobi të Kurtit të refuzojë të ulet në tryezën e bisedimeve, sepse, nën një, një gjë e tillë e portretizon Kosovën si palë më kokëfortë dhe, nën dy, mosmarrëveshjet afatgjate nuk zgjidhen kurrë kur njëra palë jep ultimatume ose refuzon të bisedojë. Palët duhet të ulen ballë për ballë dhe t’i zgjidhin çështjet në tryezë”, shtoi.

Ai ka insistuar se do të ishte më mirë sikur Kurti të kishte biseduar me Vuçiç-in dhe t’i kishte nxjerrë në tryezë shqetësimet e tij.

“Por, të nxjerrësh parakushte dhe të largohesh nga tavolina, sepse ato parakushte nuk janë plotësuar, nuk më duket qëndrim konstruktiv”, vlerëson ai.

Çka ndodhi?

Albin Kurti propozoi tri kushte [nënshkrim i marrëveshjes, anulim i letrës së Ana Brnabiç-it dhe dorëzim i Milan Radojiçiç-it], Josep Borrell propozoi zbatim në paralel të Marrëveshjes, Aleksandër Vuçiç kërkoi formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pa takim trelateral siç ishte paralajmëruar, dhe me një dakordim – vazhdim i dialogut javën e ardhshme në nivel kryenegociatorëve.

Këto ishin rezultatet e takimeve të ndara në kryeqendrën evropiane, Bruksel, që kryediplomati i Unionit, Josep Borrell, i cili shoqërohej nga i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i zhvilloi me Kurtin dhe me Vuçiç-in.

Fillimisht ndërmjetësit evropianë takuan kryeministrin Kurti, dhe më pas presidentin serb Vuçiç. Pas këtyre pritej një takimi trelateral, por jo nuk ndodhi. Sërish u zhvilluan takime bilaterale.

Ndonëse ishte paralajmëruar, takimi trelateral Kurti-Vuçiç-BE nuk ndodhi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore