Sport

Kumbulla kërkohet edhe nga Fiorentina


E ardhmja e futbollistit kuqezi, Marash Kumbullës, te skuadra e Romës është vënë në dyshim.

Qendërmbrojtësi i kombëtares së Shqipërisë nuk po gjen edhe shumë hapësira në formacionin e trajnerit Jose Mourinho, andaj ai pritet të largohet nga Roma gjatë kësaj vere.

Kumbulla po ndiqet nga skuadra e Torinos, por mediat italiane shkruajnë se edhe Fiorentina e dëshiron transferimin e tij.

Klubi “viola” me shumë mundësi do të mbesë pa mbrojtësin e tyre, Nikola Milenkovic, andaj Kumbullën e shohin si zëvendësuesin më të denjë për të.

Mediat në Itali shkruajnë që Robin Le Normand është mbrojtësi i parë i dëshiruar nga Fiorentina, një lojtar që  për momentin Real Sociedad e vlerëson shumë, 23 milionë euro.

Nëse nuk do mund të sigurojë shërbimet e Le Normand, i dyti në listën e preferencave të Fiorentina-s është mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Kumbulla.

Kujtojmë që Roma shpenzoi 26 milionë euro për ta transferuar Kumbullën nga Verona, derisa shqiptari ka kontratë me verdhekuqtë deri në verën e vitit 2025.

Duke pasur parasysh hapësirat e pakta që trajneri Mourinho i ka dhënë mbrojtësit 22-vjeçar, ai pritet që të largohet nga Roma dhe gjasat janë të mëdha që të jetë pjesë e Fiorentina-s.

Vlen të ceket që Kumbulla e pati vlerën në treg 27 milionë euro para se të transferohej në Romë, derisa “Transfermarkt” tani e vlerëson shqiptarin me 16 milionë euro.

Kumbulla sezonin e fundit ka zhvilluar 28 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e Romës, ku ka shënuar edhe një gol.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore